mar182021
Karakteristikat antihipertensive të çajit jeshil dhe të çajit të zi. Shpjegimet që jep studimi
Nga një studim i botuar në "Cellular Physiology and Biochemistry" rezulton se përbërësit e çajit jeshil dhe çajit të zi kanë një aktivitet vazodilatues që arrihet duke aktivizuar proteinat e kanaleve jonike në murin vaskular, gjë që shpjegon vetitë e tyre antihipertensive dhe mund të çojë në sintezë të barnave të reja kundër tensionit të lartë të gjakut. "Ne zbuluam që secila prej dy flavonoideve të pranishme në çaj, epicatechin gallate dhe epigallocatechin-3-gallate, aktivizon një lloj specifik të proteinave të kanalit jonik të quajtur KCNQ5, vendosur në muskujt e lëmuar të enëve të gjakut, i cili i lejon jonet e kaliumit të përhapen jashtë nga qelizat për të pakësuar ngacmueshmërinë e tyre", shpjegon nënshkruesi i parë i studimit Kaitlyn Redford nga Departamenti i Fiziologjisë dhe Biofizikës në Universitetin e Kalifornisë në Irvine.
Përveç rolit të tij në kontrollimin e tonusit vaskular, KCNQ5 shprehet në zona të ndryshme të trurit ku rregullon aktivitetin elektrik dhe sinjalet ndërmjet neuroneve. "Ekzistojnë variante jofunksionale të gjenit KCNQ5 që shkaktojnë encefalopati epileptike, një çrregullim i rëndë dobësues i zhvillimit që shkakton kriza të shpeshta. Dhe, duke qenë se katekinat e kapërcejnë barrierën hematoencefalike, zbulimi i aftësisë së tyre për të aktivizuar KCNQ5 mund të paralajmërojë mekanizmat e ardhshëm, të aftë për të riparuar kanalet e ndryshuara KCNQ5, duke përmirësuar çrregullimet e ngacmueshmërisë së trurit, që janë rezultat i mosfunksionimit të tyre", shkruajnë studiuesit, të cilët duke përdorur spektrometrinë e masës, zbuluan edhe se ngrohja e çajit të gjelbër në 35 gradë celsius ndryshon përbërjen e tij kimike, duke e bërë atë më efektiv në aktivizimin e KCNQ5.
"Pavarësisht nëse çaji konsumohet i ftohtë apo i nxehtë, kjo temperaturë arrihet pas pirjes së tij, pasi temperatura e trupit është rreth 37 celsius", vëren Redfordi, duke kujtuar se çaji është prodhuar dhe konsumuar për më shumë se 4,000 vjet dhe se në të gjithë botën pihen mbi 2 miliardë gota çaj. "Kështu, thjesht duke e pirë atë, ne jemi në gjendje të aktivizojmë vetitë e dobishme dhe antihipertensive të çajit", përfundon ai.
Cellular Physiology and Biochemistry 2021. Doi: 10.33594/000000337
http://doi.org/10.33594/000000337