Ushqyerje

shk92024

Vaji i ullirit. Studime mbi përfitimet kardiovaskulare, konjitive dhe intestinale të këtij ushqimi funksional

Kërkimi mbi vajin ekstra të virgjër të ullirit dhe sinergjinë e përbërjeve për parandalimin e sëmundjeve, konfirmon përfitimet që sjell për shëndetin ky ushqim, simbol i dietës mesdhetare.

Vaji i ullirit është një nga ushqimet kryesore të dietës mesdhetare dhe në ditët e sotme, vendet e pellgut mesdhetar janë prodhuesit dhe konsumatorët e tij më të mëdhenj. Pothuajse 70% vjen nga Spanja (prodhues kryesor), Greqia, Italia, Turqia, Maroku dhe Tunizia. Gjithashtu, ka edhe vende në të cilat konsumi i këtij produkti është më i madh për frymë, si p.sh.: 12 kg në Greqi, 11.7 kg në Spanjë, 8 kg në Itali dhe 7.9 në Portugali. Megjithatë, konsumi po shtohet me shpejtësi edhe në Evropën e Veriut dhe në Amerikën e Veriut, në një hap, mund të thuhet, me evidencat e konstatuara nga studimet që theksojnë përfitimet në shëndet. Ai krijohet nga shtrydhja dhe shtypja e ullinjve të plotë dhe nga ndarja e proceseve fizike dhe kimike të vajit. Kur prodhohet "vetëm përmes mjeteve mekanike ose të tjera, sidomos në kushte termike që nuk shkaktojnë ndryshime në vaj dhe që nuk kanë asnjë trajtim ndryshe nga larja, dekantimi, centrifugimi dhe filtrimi", cilësohet si vaj ulliri i virgjër. Kjo teknikë prodhimi, siguron në veçanti ruajtjen dhe transferimin e përbërësve bioaktivë, si polifenolet, nga ullinjtë te vaji.

Makro- dhe mikroelementet: acidet yndyrore mono të pangopura, polifenolet dhe triterpenet
Ndikimi pozitiv që ka mbi shëndetin e njeriut konsumi i vajit të ullirit i dedikohet përbërjes së tij prej makro- dhe mikroelementesh: përmbajtja e lartë me acide yndyrore mono të pangopura (MUFA) (në veçanti acid oleik) dhe përbërës më të vegjël, si: polifenolet, oleuropeina dhe hidrositirosol).
Synimi i një studimi të publikuar në Nutrients ka qenë përmbledhja e evidencave më të fundit klinike, për të kuptuar nëse përfitimet lidhen me tiparet specifike të përbërësve të veçantë, apo me sinergjinë  e tyre.

Ia vlen të theksohet se dieta mesdhetare, e konsideruar si një model ushqimor i shëndetshëm, redukton rrezikun për probleme kardiovaskulare, kryesisht falë profilit të saj yndyror dhe për shkak të kapacitetit antioksidant të yndyrës së saj kryesore, pikërisht vajit të ullirit ekstra të virgjër. Për këtë të fundit disponohet tashmë një sasi e konsiderueshme evidencash për efektet e dobishme në shëndet, pavarësisht modelit dietik.

Rezultatet kryesore kanë konfirmuar lidhjen ndërmjet vajit të ullirit dhe efekteve antioksidante dhe inflamatore, përmirësimin e funksionit endotelial dhe të profilit yndyror, parandalimin e obezitetit, diabetit dhe të sëmundjeve kardiovaskulare. Konsumi i vajit të ullirit ekstra të virgjër, i pasur me përbërës fenolesh, ka përmirësuar kontrollin metabolik dhe profilin e adipokinave inflamatore (citokinat e sekretuara nga indi dhjamor), qarkulluese te pacientët mbipeshë me diabet të tipit 2, ka reduktuar gliceminë esëll, hemoglobinën e glikuar (HbA1c), indeksin e masës trupore  dhe peshën trupore. Nga ana tjetër, një rast studimi vetëm me paciente femra të prekura nga diabeti i tipit 2, ka zbuluar një reduktim domethënës të proteinës C-reaktive, duke reduktuar kështu inflamacionin dhe stresin oksidativ, të cilat sjellin ndërlikime të diabetit.
Megjithatë, nga studimet e përzgjedhura, rezulton se në shumë raste është sinergjia midis përbërjeve të vogla bioaktive të vajit (përbërjet e fenoleve dhe triterpeneve, duke përfshirë oleokantalin, oleuropeinën dhe hidroksitirozolin) dhe yndyrave (kryesisht MUFA), ajo që shpjegon efektet pozitive edhe në termat e parandalimit dhe menaxhimit të një sërë sëmundjeve jo të transmetueshme.
Studimi në fjalë, nxjerr në pah edhe ndikimin e mundshëm të këtij vaji në funksionin konjitiv dhe në mbrojtjen neurologjike, si dhe në diversitetin e mikrobiotës intestinale, në mënyrë të pavarur ose brenda së njëjtës dietë mesdhetare. Për shembull, përsa i përket ekuilibrit intestinal, është konstatuar se përbërjet fenolike të vajit mund të ndërveprojnë me mikrobiotën dhe me shumë mundësi të ndikojnë në gjendjen oksiduese të barrierës intestinale, nivelin e inflamacionit dhe përgjigjen imune të bujtësit. Studimet janë në fazat e para të zhvillimit deri më tani, por të gjashta studimet e periudhës së marrë në studim kanë mbështetur ndjeshëm efektin e mundshëm prebiotik të përbërësit fenolik të vajit.
Si përfundim, studimi konfirmon të dhënat shkencore se konsumi i vajit të ullirit, si pjesë e një diete të stilit mesdhetar ose si ushqim funksional në vetvete, luan një rol thelbësor, qoftë duke përmirësuar shëndetin, qoftë edhe në kushte parandalimi, kryesisht falë efektit sinergjik ndërmjet përbërësve polifenolikë dhe përmbajtjes së lartë të acidit oleik. Edhe pse do të jenë të nevojshme kërkime të mëtejshme, tashmë ka prova të mjaftueshme për të mbështetur faktin se konsumi i vajit të ullirit ekstra të virgjër kontribuon pozitivisht në parandalimin dhe menaxhimin e një sërë sëmundjeve jo të transmetueshme, duke pasur një ndikim të madh në shëndetin publik.

Burimet
Nutrients 2023. https://doi.org/10.3390/nu15163625


Download Center

separa
Principi e Pratica Clinica
Lista e barnave të rimbursueshme 2015
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
VENDIME TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
shkoni në download >>
separa

OTC