nën12014
Informacione të reja sigurie për pseudoefedrinën
Janë përditësuar fletët ilustrative dhe etikatat e të gjitha barnave që kanë si princip aktiv pseudofedrinën, substancë e ndaluar për doping. Bashkë me kompanitë prodhuese, faktin e ka bërë të ditur me një komunikatë të rëndësishme AIFA, që tërheq vëmendjen e operatorëve shëndetësorë në lidhje me informacionet e sigurisë mbi barna që e përmbajnë këtë aminë simpatomimetike.
Pseudoefedrina është e përfshirë në Listën e Substancave të Ndaluara në sport (Stimuluesit S6), bashkë me adrenalinën, nafazolinën, oximetazolinën, tetrizolinën dhe fendimetrazinën. Ajo është e ndaluar kur përqendrimi i saj në urinë është më i lartë se 150 mikrogramë për mililitër. Fletët ilustruese janë përditësuar me frazën: ''Për ata që zhvillojnë aktivitete sportive: përdorimi i barit pa pasur nevojë terapeutike përbën doping dhe mund të rezultojnë pozitivë në testet anti-doping''.
Ndërsa, në etiketat e jashtme, fraza e shtuar është: ''Rekomandohet që ata që merren me aktivitet sportiv t'i kushtojnë vëmendje të veçantë përdorimit të barnave të cilat përmbajnë si princip aktiv pseudoefedrinën, substancë e ndaluar për doping''. Barnat që e përmbajnë janë për vetëmjekim dhe prandaj nuk është e nevojshme asnjë recetë mjekësore. Pseudoefedrina hidrokloride ndodhet në përbërje bashkë me principë të tjerë aktivë si: cetirizina hidrokloride, dekstrometorfani, ibuprofeni, acetaminofeni dhe triprolidina hidrokloride. Indikacionet janë të ndryshme: nga trajtimi simptomatik e rinitit alergjik, në trajtimin simptomatik të kollës dhe sëmundjeve kongjestive të traktit respirator; por edhe në dhimbje, ethe, dhimbje fyti dhe dhimbje koke.
AIFA i kujton edhe njëherë të gjithë mjekëve dhe farmacistëve rëndësinë e sinjalizimit të reaksioneve të dyshimta të shkaktuara nga barnat, si një mjet i domosdoshëm për të konfirmuar një rezultat të favorshëm në kushtet aktuale të përdorimit të tyre.