nën42014
Frakturat te fëmijët: zgjidhni ibuprofenin në vend të morfinës
Sa i takon efikasitetit analgjezik, ibuprofeni përfaqëson një zgjedhje më të mirë se morfina në menaxhimin e dhimbjeve të frakturave kockore te fëmijët. Ky është përfundimi i një studimi të udhëhequr nga grupi i doktor Naveen Ponai në qendrën ''London Health Sciences Center e Ontarios'' (Kanada), mbi menaxhimin e dhimbjeve të frakturave në moshë të mitur. Frakturat përfaqësojnë 1/4 e të gjitha lëndimeve që pësojnë fëmijët, të cilat janë dhe ndër më të dhimbshmet. Meqë për motive sigurie përdorimi i kodeinës në këtë grupmoshë nuk është i këshillueshëm, mundësitë terapeutike për menaxhimin e dhimbjeve pediatrike rezultojnë më të kufizuara dhe orientimi drejt morfinës nuk është i rrallë. Studimi i publikuar nga CMAJ (Canadian Medical Association Journal) ka përfshirë 134 fëmijë të moshës mes 5-17 vjeç, të cilët kanë pësuar fraktura që nuk kanë pasur si domosdoshmëri ndërhyrje kirurgjikale. Fëmijët u caktuan në mënyrë rastësore që të marrin morfinë ose ibuprofen: të dyja barnat kontribuuan në lehtësimin e dhimbjeve të tyre, por të vegjëlve që iu dha morfinë eksperimentuan një numër më të madh efektesh anësore, mes të cilave përgjumje, përzierje dhe të vjella. ''Duke qenë se morfina është asociuar me efekte shumë më negative, mund të arrijmë në përfundimin se ibuprofeni do të mbetet një terapi e sigurt dhe efikase në menaxhimin e dhimbjeve të frakturave te fëmijët'', u shprehën autorët e studimit.