nën302022
BPKO. Morfina me dozë të ulët nuk e përmirëson dispnenë
Sipas një studimi të publikuar në JAMA, morfina nuk e redukton dispnenë e rëndë te pacientët me bronkopneumopati kronike obstruktive (BPKO).
"Mungesa e frymëmarrjes për një kohë të gjatë është një shkak i zakonshëm i vuajtjeve të vazhdueshme që ndodhin shpesh në sëmundjet të avancuara deri në fund të jetës. BPKO-ja mund të shkaktojë dispne duke dëmtuar mushkëritë dhe rrugët respiratore, dhe për njerëzit e sëmurë me dispne të rëndë, aktiviteti fizik është shpesh një sfidë", thotë autori kryesor i studimit Magnus Ekström nga Universiteti Lund në Suedi.
Studiuesit studiuan 156 pacientë me BPKO, të cilët vuanin nga dispneja e rëndë, për tre javë. Në javën e parë, pjesëmarrësit u ndanë në mënyrë rastësore në tre grupe, në dy prej të cilëve u administrua morfinë me doza të ulëta një herë në ditë (8 miligramë në ditë ose 16 miligramë në ditë) dhe në grupin e tretë ose atë të kontrollit, në të cilin u administrua placebo.
Gjatë dy javëve pasardhëse, pjesëmarrësit u përzgjodhën në mënyrë rastësore për të marrë 8 miligramë morfinë ose placebo shtesë, përveç trajtimit të tyre të mëparshëm, për të studiuar efektivitetin e trajtimit dhe rrezikun e efekteve anësore nga rritja e dozës së barit. Më pas, ekspertët krahasuan grupet për të parë vlerësimin që pjesëmarrësit i bënë përvojës së tyre të dispnesë dhe, me ndihmën e sensorëve të lëvizjes, matën aktivitetin fizik të pjesëmarrësve.
"Pritej që studimi të tregonte se morfina në dozë të ulët mund t'i mundësonte njerëzve të ishin më aktivë fizikisht. Fatkeqësisht, kjo nuk ka ndodhur. Ne nuk pamë ndonjë përmirësim për sa i përket dispnesë dhe përvojës së pjesëmarrësve," shpjegon Ekström.
Autorët theksojnë se gjetjet e tyre nuk nënkuptojnë se morfina nuk ofron ndonjë lehtësim për pacientët me mungesë të rëndë frymëmarrjeje në pushim ose në kujdesin paliativ në fund të jetës, pasi ata nuk e vlerësuan këtë aspekt. Në të vërtetë, në shumicën e rasteve, pacientët që ata ekzaminuan nuk vuanin mungesa e frymëmarrjes gjatë pushimit. "Megjithatë, bazuar në rezultatet tona, ne nuk mund t'a rekomandojmë morfinën për njerëzit me dispne kronike", përfundojnë studiuesit.
JAMA 2022. Doi: 10.1001/jama.2022.20206
http://doi.org/10.1001/jama.2022.20206