nën122014
Shurup agave ose placebo për të qetësuar kollën e natës te fëmijët
Për të trajtuar të porsalindurit dhe fëmijët me kollë nate dhe me pasojë pagjumësinë, është efikas shurupi i agaves dhe placeboja. Në këtë përfundim kanë arritur studiuesit e ''Penn State College of Medicine'', Pensilvani, në një artikull të publikuar në revistën ''Jama pediatriscs''.
''Kolla është një simptomë e shpeshtë te fëmijët dhe një nga motivet kryesore e vizitave pediatrike'', shprehet Ian Paul, një ndër autorët e artikullit dhe shton se simptoma bëhet veçanërisht e besdisshme natën: Sipas një studimi të fundit kolla e natës prish gjumin e 88% të fëmijëve dhe 72% të prindërve. ''Për një simptomë kaq të zakonshme dhe të besdisshme kërkesa për terapi efikase është e lartë, por janë të pakta studimet që mbështesin përdorimin e barnave si zgjidhje efektive'', thotë Paul.
Një ndër alternativat është mjalti, i përdorur kundër kollës në shumë vende të botës, por ai është i pakëshillueshëm te fëmijët që s'e kanë mbushur vitin për shkak të rrezikut nga botulizmi foshnjor i krijuar nga prania e sporeve ''Clostridium botulinum''. Ndër të tjera, një paralajmërim i Administratës së Barnave dhe Ushqimit në SHBA (FDA) kujton se barnat OTC kundër kollës dhe ftohjes, mes të cilave antihistaminikët, dekongjestionantët dhe ekspektoratët, nuk duhet të përdoren te fëmijët nën dy vjeç për shkak të efekteve të mundshme negative dhe mungesës së efikasitetit.
''Në vend të mjaltit mund të përdoret nektari i agaves, një produkt me veti të ngjashme, por që nuk shkakton botulizmin'', pohon studiuesi, duke shtuar se asnjë studim nuk ka vlerësuar deri më sot produktet efikase kundër kollës së natës. ''Kemi ngritur hipotezën se efekti zbutës dhe shija e ëmbël e preparatit mund t'iu japë fëmijëve një lehtësim të krahasueshëm me mjaltin'', thekson Paul. Studiuesi krahasoi efektin e nektarit të agaves të pasterizuar kundrejt placebos. Të dyja përgatitjet iu dhanë në mënyrë të rastësishme 2 grupeve të 119 fëmijëve, të moshës nga 2 deri në 47 muaj. Rezultatet treguan se në krahasim me mungesën e trajtimit, si nektari i agaves dhe placeboja janë efikase, por kur këto dy kura vihen përballë njëra tjetrës, asnjëra nuk ja kalon tjetrës. ''Placeboja mund t'i ofrojë benefite fëmijëve dhe prindërve pa kosto shtesë, duke mënjanuar përshkrimin e papërshtatshëm të antibiotikëve'', përfundon studiuesi.