dhj222014
Ebola, barnat eksperimentale ende në fazat e para
Nuk ka prova të mjaftueshme mbi sigurinë dhe efektivitetin e terapive eksperimentale të përdorura te pacientët e prekur nga Ebola. Këtë e pohon një raport i Agjencisë Evropiane të Barnave (EMA) që përfshin shtatë trajtime: Bcx4430, Brincidofovir, Favipiravir, TKM-100.802, Avi-7537, ZMapp dhe Anti-Ebola F (ab ') 2.
Të dhënat e disponueshme mbi to janë të ndryshme: Një numër i vogël i këtyre trajtimeve është administruar te pacientët gjatë shpërthimit të Ebolas; për disa kompozime nuk ekziston një përgjigje pozitive në lidhje me përdorimin e tyre mbi njerëzit; në të tjera raste është studiuar përdorimi i tyre mbi qeniet njerëzore por për trajtimin e sëmundjeve të tjera virale. "Trajtimet për pacientët e infektuar me virusin Ebola, - shpjegon Marco Cavaleri, kreu i zyrës Anti-Infectives and Vaccines të EMA-s, - janë ende në fazat e para të zhvillimit. Ne do të kryejmë një rishikim të çdo informacioni të ri menjëherë sapo ai të na vihet në dispozicion, në mënyrë që t'ju ofrojmë mbështetje atyre që janë duke u përballur me krizën aktuale shëndetësore''.
Mes ekipeve të angazhuara në menaxhimin dhe kujdesin e pacientëve të prekur me Ebola është Instituti Spallanzani në Romë, i cili ka marrë vlerësime nga Organizata Botërore e Shëndetësisë: "Kemi vizituar dhomat e izolimit dhe duam të përgëzojmë Italinë për mënyrën se si po kujdeset për pacientët e hospitalizuar, që për fat të mirë po përmirësohen", u shpreh Nahoko Shindo, kreu i Departamentit të sëmundjeve epidemike të OBSH-së, pas një vizite në strukturën shëndetësore. "Spallanzani është një qendër që bashkëpunon prej një kohe të gjatë me OBSH-në. Kjo është një vizitë rutinë për një ngjarje për të cilën po përgatitemi prej një kohe të gjatë. Kapaciteti i objektit mund të përdoret edhe në raste të tjera dhe në janar do të ketë një ballafaqim edhe me strukturat e tjera", përfundon Cavaleri.