GlaxoSmithkKline një kompani e njohur në prodhimin e vaksinave dhe një sërë medikamentesh si antibiotikë apo të tjera kundër sëmundjeve kancerogjene ka njoftuar prej ditësh reduktimin e operacioneve të saj në Shqipëri. Ndryshe nga sa është raportuar në media apo website të ndryshme, reduktimi i operacioneve nuk ka të bëjë aspak me largimin e saj apo me ndërprerjen e furnizimit me barna për Shqipërinë. Këtë ka deklaruar kreu i zyrës së përfaqësisë së GSK-së në Tiranë, z.Roland Xhafaj.
I kontaktuar nga Farmacist33.al, z.Xhafaj shpjegon se arsyet e reduktimit të operacioneve të kompanisë GSK kanë të bëjnë me zhvillimet globale. I kujdesshëm në atë se çfarë deklaron Xhafaj rendit dy arsye kryesore.
"Së pari, GSK ka vendosur të ndërpresë pjesën më të madhe të operacioneve të saj në vend. Do të mbahet një nivel minimal operacional që do të garantojë vazhdimësinë e furnizimit me medikamente.
Së dyti, situata globale ekonomike, vendimi për ri-fokusimin e divizionit farmaceutik me një ristrukturim rajonal dhe situata ekonomike në vend. Këto janë arsyet e këtij vendimi", është shprehur z.Xhafaj duke theksuar se GSK nuk do të ndërpresë furnizimin me medikamente në Shqipëri.
Specialistë të tregut farmaceutik të pyetur mbi këtë ristrukturim thonë se për këtë vendim mund të jetë edhe marrëveshja që pritet të finalizohet së shpejti me gjigantin tjetër farmaceutik Novartis. Një ndër pikat kryesore të saj është lëshimi i të gjithë portofolit të barnave onkologjike të Glaxos ndaj Novartis. Ndërsa lidhur me vaksinat do të jetë Glaxos që do të marrë edhe ato të Novartis duke i lënë kësaj të fundit vetëm vaksinën kundër gripit.
Përgatiti: Alma Demiraj