Farmaci

mar232015

Shërbimet e farmacive nëpër botë përtej rutinës

Vaksinimi, përshkrimi mjekësor, modifikimi i trajtimit aktual, janë disa nga shërbimet e ofruara në farmaci prej vitesh në shumë shtete. Një artikull i publikuar së fundi në revistën franceze "Le quotidien du pharmacien" tregon mbi aktivitetet shtesë, ku roli i farmacistit shkon përtej dispensimit të barnave. Pionerja e shërbimeve në farmaci ishte provinca kanadeze e Albertas, e cila që në vitin 1962 iu dha farmacistëve të drejtën për të zëvendësuar principet aktive me xhenerikët dhe në 2007-ën autorizoi përshkrimin e disa barnave si dhe kryerjen e injeksioneve në farmaci, si p.sh vaksinën kundër gripit. Deri më sot, Alberta është provinca me gamën më të gjerë të ofertave të shërbimeve në farmaci.

Farmacisti mund të zëvendësojë mjekun, të vaksinojë dhe të përshkruajë barna për disa patologji të vogla (si akne, herpes në buzë, rinit alergjik) ose që nuk kërkojnë diagnozë (si të vjellat gjatë shtatzënisë); të rinovojë një recetë për të shmangur ndërprerjen e një terapie kronike; të zëvendësojë një bar me një tjetër në rast të mbarimit të rezervave; të modifikojë një recetë (pra të ndryshojë dozën ose formën farmaceutike të barit), të përshkruajë dhe pastaj interpretojë testet laboratorike; të administrojë një bar për t'i treguar pacientit se si bëhet (për shembull me inhalatorët). Me kalimin e kohës edhe provincat e tjera kanadeze janë përshtatur me këtë model, veçanërisht në Kebek, ku për të kapërcyer mungesën e mjekëve të familjes, farmacistët mund të ndryshojnë një recetë, të përshkruajnë disa barna si anti-acidë, inhibitorë të pompës protonike, acidin folik, kontraceptivët, terapitë me zëvendësim hormonal dhe zëvendësuesit e nikotinës etj.

Edhe Zvicra ka zgjedhur nisma interesante, pasi që në vitin 2001 për të kompensuar uljen e më shumë se 20% të çmimit të barnave, sistemi i shpërblimit për farmacistët ka ndryshuar thellësisht. Kështu për të mbajtur gjallë profesionin, shpërblimi i farmacistit është shkëputur nga çmimet e barnave për t'u transformuar në shpërblim për punën e tyre intelektuale. Aktualisht, farmacistët zviceranë shpërblehen për t'i dhënë jetë "Cercles de Qualité" (Qarqet e kualitetit). Në disa kantone si Friburg këto qarqe bëjnë bashkë 5-8 mjekë dhe rreth 1-2 farmacistëve trajnues."Qëllimi është që të përmirësohen përshkrimet mjekësore, duke analizuar frekuencën dhe volumin e recetave dhe penetrimin e xhenerikëve", shprehet Matthieu Goldschmidt, farmacist. Dhe kompensimi është simbolik: "farmacisti trajnues mund të fitojë edhe 160 € në orë për pjesëmarrjen e tij në këto qarqe", thotë Goldschmidt ndërsa institucionet që paguajnë janë të kënaqura sepse këto operacione krijojnë mundësi kursimi. Po në Zvicër programi "NetCare" i lejon farmacistëve që të marrin përsipër shqyrtimin e simptomave të caktuara dhe dispensimin e barnave për të cilat përshkrimi mjekësor është i detyrueshëm. Në rast nevoje mund të organizohet në farmaci një video-konsultë me një mjek që mund të dërgojë me fax një recetë. Gjatë fazës pilote, mes prillit 2012 dhe qershorit 2014, ku morën pjesë 200 farmaci kanë qenë më shumë se 5000 raste të ndjekura, mbi të gjitha infeksione të traktit urinar (40% e rasteve) dhe konjunktivit (25%). 73% e problematikave janë zgjidhur përfundimisht nga farmacisti, ndërsa vetëm në 20% të rasteve farmacistët i janë drejtuar tele-konsultimeve me një mjek. Një bilanc pozitiv ky, aq sa këtë vit projekti NetCare do të shtrihet në të gjitha farmacitë zviceriane.

Së fundi, ide të tjera interesante por më pak sistemike: në Danimarkë farmacisti i dërgon sms pacientit për ta kujtuar që të ndjekë trajtimet; në Skoci ai ndjek procesin e shkëputjes së pacientit nga duhanpirja; në Irlandë, Portugali, Filipine, SHBA dhe në disa rajone të Mbretërisë së Bashkuar farmacisti lejohet të vaksinojë. Ndërsa në Japoni një nga detyrat e tij është që të verifikojë që të mos shfaqen produkte me përmbajtje dopingu në recetat e sportistëve.


Download Center

separa
Principi e Pratica Clinica
Lista e barnave të rimbursueshme 2015
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
VENDIME TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
shkoni në download >>
separa

OTC