Farmaci

shk92022

Trajtimi i konjuktivitit në farmaci: nga diagnoza diferenciale, te terapia më e përshtatshme

Farmacisti është shpesh personi i parë që bie në kontakt me qytetarin që ka një problem shëndetësor. Kështu ndodh edhe në rastet e konjuktiviteve. Prandaj, është shumë e rëndësishme që farmacisti të ketë nocionet bazë se si t'i njohë ato, në mënyrë që ta këshillojë më mirë pacientin. Takimi online "Konjuktiviti në farmaci: nga diagnoza e saktë diferenciale, te terapia më e përshtatshme", gjatë kongresit të farmacistëve italianë, i shpjegon më hollësisht këto çështje...

 

Në pandemi, farmacistët iu janë përgjigjur nevojave shëndetësore

Florindo Cracco, pjesë përbërëse e komitetit qendror të FOFI-t dhe Daniele Dani, anëtar i këshillit të Presidencës së FEDERFARMA-s, kanë theksuar se farmacistët përballen shpesh me këtë tematikë, veçanërisht kohët e fundit, gjatë të cilave situata pandemike ka krijuar vështirësi për qasjen në shërbimin mjekësor bazë. Pikërisht në një moment kaq të vështirë, farmacia dhe farmacistët janë shndërruar në një vend ku popullsia mund të drejtohet për nevojat e saj shëndetësore. Edhe në rastin konkret, pra, për konjuktivitin, por edhe për sëmundje të tjera okulare, farmacisti mund të jetë këshilluesi i pacientit drejt trajtimit të duhur, por edhe për ta adresuar qytetarin te një specialist, me qëllim shmangien e dëmeve të tjera shëndetësore.

 

Qasja terapeutike dhe këshilla e farmacistit

Luca Vigo, referent i Oftalmologjisë në Qendrën Carones në Milano dhe drejtues i Qendrës së Studimeve të Lakrimimit, shpjegoi se si të njohim dhe dallojmë konjuktivitin, qoftë ai me origjinë infektive apo alergjike, mbi të gjitha, falë sinjaleve dhe simptomave që ndodhin te pacienti, ndërsa Saverio Luccarelli, kreu i shërbimit Cornea të spitalit San Giuseppe në Milano, shpjegoi se si mund të menaxhohet konjuktiviti infektiv në farmaci. Përsa i përket konjuktivitit infektiv, të dy besojnë se është e rëndësishme të mos përdoren menjëherë antibiotikë, me përjashtim të disa rasteve të veçanta, pasi ata nuk janë kurativë dhe mund të shkaktojnë rezistencë antimikrobike te pacienti. Në të kundërt, në format më pak të rënda, konjuktiviti mund të zgjidhet vetë, pa ndërhyrje terapeutike, brenda 7-14 ditëve. Si bashkëbisedues i parë, farmacisti mund ta këshillojë pacientin për disa strategji trajtimi, siç është për shembull, ndërprerja e përdorimit të lenteve të kontaktit, heqja e sekrecioneve të syrit me garzë sterile, aplikimi i garzave të ftohta ose, në rastet e shqetësimit ekstrem, këshillimi i konsultës me një okulist dhe, në bazë të dyshimit dhe në pritje të konsultimit mjekësor, të sugjerohen pikat në sy. Duke pasur parasysh, shkallën e lartë infektive të sëmundjes, janë të rëndësishme edhe strategjitë për parandalimin e transmetimit: larja e duarve rregullisht me sapun dhe ujë ose përdorimi i një dezinfektuesi që përmban të paktën 60% alkool, shmangia e prekjes së syve me duar, përdorimi i peshqirëve apo copave njëpërdorimëshe, për të mos i ndarë me të tjerët (për shembull, në familje), ndërrimi i shpeshtë i këllëfëve të jastëkëve, eliminimi i grimit dhe shmangia e pishinave.
Të gjithë folësit besojnë se roli i farmacistit është thelbësor në dialogun me qytetarin për informimin e saktë të pacientit dhe, në këtë rast, edhe në patologjinë e konjuktivitit, për të ndihmuar pacientin të kuptojë rrugën e duhur të trajtimit.

 

Cristoforo Zervos


Download Center

separa
Principi e Pratica Clinica
Lista e barnave të rimbursueshme 2015
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
VENDIME TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
shkoni në download >>
separa

OTC