jan192021
Shëndeti i syve, nga llojet e çrregullimeve e deri te simptomat e tyre. Këshillat e farmacistit
Skuqje apo tharje sysh, konjuktivit, kalazion ose byc. Sëmundjet e syve me të cilat përballen farmacistët gjatë punës së tyre, janë nga më të ndryshmet. Ja, cilat janë ato dhe çfarë të rekomandojmë...
Cilat janë disa nga çrregullimet?
Skuqja e syve: Shkaktohet nga zgjerimi i enëve të gjakut në sy. Mes shkaqeve të zakonshme janë thatësia e konjuktivës, infeksionet virale e bakteriale dhe inflamacionet nga kontakti.
Tharja e syve: Mund të bëhet dallimi i dy formave të thatësisë. Ajo nga prodhimi i reduktuar lakrimal (hipolakrimia), formë e rrallë, e lidhur me patologjitë autoimmune dhe ajo nga avullimi i tepërt (dislakrimia). Ka disa faktorë që mund të favorizojnë fillimin e thatësisë okulare në moshë të përparuar: menopauza, barnat që mund të frenojnë formimin e lotëve (antihipertensivët, antihistaminikët, diuretikët...), irritimet nga kontakti (lente kontakti, pluhura kimike ose biologjike, diell, erë).
Konjuktivitet: janë procese inflamatore që prekin konjuktivën dhe ndahen në forma të ndryshme: bakterike, virale, alergjike apo nga agjentët e jashtëm.
Bycat dhe kalazioni: Byci është një inflamacion akut që prek gjëndrat dhjamore të qepallave. Në përgjithësi, ndodh në moshë pediatrike dhe në moshën e zhvillimit. Kalazioni është një cist në qepallë i krijuar për shkak të inflamacionit kronik të një gjëndre meibomiane.
Simptomat, mosha, kohëzgjatja dhe lokalizimi i çrregullimit
Tharja e syrit: Skuqje e lehtë, ndjesi rëre në sy, djegie, fotofobi, kruajtje, dhimbje qepalle pas zgjimit. Konjuktiviti: forma bakteriale manifestohet me sekretim të bollshëm të verdhë mukopurulent, skuqje të syve dhe ndjesi rëre. Është shumë ngjitës. Forma virale, e cila është gjithashtu ngjitëse, manifestohet me fotofobi të theksuar dhe djegie, syri është pothuajse gjithmonë i kuq. Në konjuktivin alergjik, vihen re kruajtje, ënjtje të konjuktivës dhe sekrecione të bardha në mëngjes. Në format alergjike sezonale, shtohet skuqja e syrit. Zakonisht, shfaqet në të dy sytë në të njëjtën kohë. Konjuktiviti nga agjentët e jashtëm shkakton djegie dhe skuqje. Shenjat dhe simptomat e bycit janë ënjtja dhe skuqja e qepallës, dhimbja, djegia dhe lotimi i tepërt. Shenjat dhe simptomat e kalazionit janë të ngjashme me ato të bycit. Farmacisti do të duhet të vlerësojë moshën e pacientit, vendndodhjen, kohëzgjatjen e çrregullimit, simptomat.
Këshillat e farmacistit për mjekimin
Në rastin e skuqjes së syve, rekomandohen pika në sy karboksilmetilcelulozë, me veprim antiinflamator lokal. Pikat duhet të aplikohen disa herë në ditë. Në rastin e tharjes së syve rekomandojmë përdorimin e acidit hialuronik për përdorim oftalmik 2-3 herë në ditë, sipas nevojës. Barnat me bazë tetrizoline dhe naftazoline rekomandohen në rastin e konjuktivitit të shkaktuar nga agjentë të jashtëm (aplikimi 3 herë në ditë) për pesë ose më shumë ditë. Këtu ekzistojnë disa efekte anësore të mundshme (mbindjeshmëri, presion i shtuar i syrit...). Veprimi antiinfektiv i solucionit të acidit borik për përdorim oftalmik e bën përgatitjen të përshtatshme në rastin e bycave (3 kompresa në ditë). Në trajtimin e konjuktivitit infektiv këshillohet të përdoren pomada oftalmike, që janë më efektive sepse ngjiten më mirë në konjuktivë.
Alessandra Margreth
(shkëputur nga "Inquadramento clinico e gestione dei disturbi minori in farmacia" e Corriado Giua Marassi, botimet Edra)