Në krahasim me gratë që nuk i përdorin, pacientet që janë në Terapi Zëvendësuese Hormonale (TZH) kanë dyfishin e probabilitetit për të zhvilluar hemorragji në aparatin gastrointestinal të poshtëm dhe kolit ishemik. Rreziku në fakt është në proporcion me kohëzgjatjen e trajtimit. Në këtë përfundim ka arritur një analizë retrospektivë e "Nurses'health study" e zbatuar mbi 73.863 paciente. Këto janë ndjekur për 22 vjet nga studiuesit e departamentit të mjekësisë interne në "Massachusetts General Hospital" në Boston, të cilët kanë krahasuar efektet e marrjes për një kohë të gjatë të hormoneve kundër simptomave të menopauzës (si afshet e të nxehtit, pagjumësia, irritimi, thatësia vaginale etj).
Në studim u futën edhe gra që përdornin TZH dhe në një moment të caktuar e kishin ndërprerë. Është e ditur që marrja e estrogjeneve dhe progesteronit në rrugë orale ose transdermike, mund të rritë formimin e koagulave dhe riskun e tromboembolizmit venoz (TEV).
Deri më sot nuk kishte sinjalizime që këto barna mund të ishin shkak për hemorragji intestinale dhe kolit ishemik, një gjendje e përcaktuar nga një furnizim i pamjaftueshëm me gjak i arteries mezenteriale inferiore. Gjatë studimit u sinjalizuan 270 raste me hemorragji të rëndë gastro-intestinale që kërkuan shtrimin në spital ose transfuzion, episode në pjesën më të madhe të konfirmuara nga analiza e kartelave klinike. Mundësia që ky efekt anësor të prekë një grua në trajtim me TZH në krahasim me një që nuk e përdor, është më shumë se 50%. Pas kontrollit të statistikave lidhur me stilin e jetesës, karakteristikat fizike të pacienteve dhe marrjen e barnave të tjera, rreziku që Terapia Zëvendësuese Hormonale të bëhet shkak për hemorragji intestinale nuk është shumë i lartë, por duhet marrë në konsideratë.
Pse i intereson farmacistit: njësoj si efektet e tjera anësore të Terapisë Zëvendësuese Hormonale, hemorragjia intestinale është një risk që duhet peshuar në krahasim me simptomat e menopauzës, për të cilat përshkruhen hormonet.