gus82015
Studim i JAMA-s: Nga barnat me përdorim të përditshëm, risk për demencë
Një studim i gjerë i drejtuar nga Universiteti i Uashingtonit dhe i botuar në revistën "Jama Internal Medicine", ka shqyrtuar disa lloje barnash me aktivitet anti-kolinergjik. Autorët nuk përmendin brande specifike, por veçojnë llojet e trajtimit për të cilat janë të destinuara: anti-depresivët triciklike, anti-histaminikët dhe ato për mos përmbajtjen urinare të cilat mund të shkaktojnë demencë. Është fjala për pjesën më të madhe të barnave të shitura me recetë, por mes tyre gjenden edhe OTC.
Hulumtime të mëhershme kanë treguar se principet anti-kolinergjike mund të shkaktojnë dëmtime afat-shkurtra të disa aftësive konjitive, si kujtesa dhe përqendrimi, madje edhe pas administrimit të një doze të vetme. Besohet megjithatë, se bëhet fjalë për efekte të përkohshme, që zhduken pas ndërprerjes së terapisë.
Autorët e studimit amerikan rekrutuan 3.434 persona të moshës më të madhe se 65 vjeç dhe asnjëri prej tyre i prekur nga demenca në fillim të eksperimentimit. Pas një studimi dhjetë vjeçar, 797 pjesëmarrës zhvilluan demencë, në 89% të rasteve sëmundjen e Alzheimerit. U provua kështu se ekziston një rrezik më i madh i asociuar me një përdorim të zgjatur ose në doza të larta të këtyre barnave. Është zbuluar se 10 mg doxepinë në ditë (anti-depresiv triciklik), 4 mg klorfenaminë në ditë (antistaminik) dhe 5 mg oksibutininë (për çrregullimet e fshikëzës ose të rrugëve urinare) të përdorura për tre vjet, kanë shkaktuar përqindje të mëdha të demencës.
Është fjala për principe aktive të pranishme në barna të marra nga një e treta e personave të moshuar dhe studiuesit nënvizojnë nevojën për të kuptuar më mirë risqet potenciale të asociuara me përdorimin e tyre. Mjekëve dhe farmacistëve u sugjerohet të ofrojnë trajtime alternative ose të japin dozën më të ulët për një periudhë më të shkurtër.