Farmaci

kor12020

Alzheimeri. Antiepileptikët lidhen me një shtim të rrezikut për vdekje

Përdorimi i barnave antiepileptike është i lidhur me një rrezik më të lartë për vdekje mes njerëzve me sëmundjen e Alzheimerit, sipas një studimi të ri të botuar në "Neurology". "Lidhja mes barnave antiepileptike dhe vdekshmërisë në këtë popullatë nuk është studiuar kurrë më parë. Rezultatet tona theksojnë nevojën për të qenë të kujdesshëm në përshkrimin e këtyre barnave për indikacione të tjera përveç epilepsisë në këtë grup të brishtë", shpjegon Tatyana Sarycheva (Universiteti i Finlandës Lindore dhe Instituti Karolinska i Stokholmit), autore kryesore e studimit.

Barnat antiepileptike përdoren shpesh për indikacione përveç epilepsisë, përfshirë dhimbjen neuropatike dhe simptomat e sjelljes dhe psikologjike të demencës, megjithëse zyrtarisht, ato nuk indikohen për këto probleme. Për të kuptuar më mirë situatën, studiuesit analizuan grupin e të dhënave Medalz në Finlandë, që përfshin të gjithë të sëmurët me Alzheimer në Finlandë në periudhën 2005-2011, me një numër të përgjithshëm prej 70,718 individësh dhe krahasuan rrezikun e vdekshmërisë mes përdoruesve dhe jopërdoruesve të barnave antiepileptike.
Analiza e të dhënave tregoi se rreziku i vdekjes u rrit në mënyrë të konsiderueshme gjatë tre muajve të parë të trajtimit me barna antiepileptike dhe ishte më i lartë mes përdoruesve të barnave më të vjetra antiepileptike sesa mes atyre që përdorën barna më të reja. Rreziku mbeti i lartë edhe pasi u përjashtuan njerëzit me epilepsi në analizat e ndjeshmërisë dhe gjithashtu, pas kontrollit për komorbiditet, faktorë socio-demografikë dhe përdorim të barnave të tjera.

Autorët vërejnë se është e mundur që arsyet themelore të fillimit të terapisë me një antiepileptik, të shpjegojnë pjesërisht rezultatet dhe se për këtë arsye do të nevojiten studime të mëtejshme konfirmuese. "Këto gjetje fillestare janë shqetësuese, pasi njerëzit me sëmundjen e Alzheimerit përdorin barna antiepileptike më shpesh sesa ata pa sëmundjen dhe përdorimi i antiepileptikëve të gjeneratës së vjetër është i zakonshëm në këtë popullatë", përfundon Sarycheva.


Neurology 2020. DOI: 10.1212/WNL.0000000000009435
https://doi.org/10.1212/WNL.0000000000009435


Download Center

separa
Principi e Pratica Clinica
Lista e barnave të rimbursueshme 2015
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
VENDIME TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
shkoni në download >>
separa

OTC