shk242016
Diabeti dhe testosteroni i ulët: terapia hormonale redukton insulinorezistencën
Meshkujt me diabet tip 2 të cilët kanë nivele të ulëta testosteroni mund të nxjerrin një përfitim domethënës nga terapia hormonale. Në këtë përfundim ka arritur një studim i fundit i publikuar në revistën "Diabetes Care" dhe i financuar nga Instituti Kombëtar i Shëndetit në SHBA.
Studiuesit të drejtuar nga Paresh Dandona profesor i endokrinologjisë në Jacobs School of Medicine and Biomedical Sciences, zhvilluan trialin e parë të kontrolluar me placebo mbi trajtimin me testosteron në një grup meshkujsh me diabet tip 2 për të hetuar rolin e rezistencës insulinike para dhe pas kurës hormonale.
Duke vepruar kështu, studiuesit vunë re një reduktim domethënës të ndjeshmërisë periferike ndaj insulinës e cila lidhej me nivele të ulëta të testosteronit. Një gjë e tillë dëshmohej nga absorbimi i vogël i glukozës gjatë klampit euglicemik hiperinsulinemik, i pranishëm në një përqindje të konsiderueshme si te diabetikët edhe në jodiabetikët obezë.
"Hipoteza që kemi ngritur është se testosteroni është një agjent i pajisur me veprim të dyfishtë: anti-inflamator dhe ndjeshmëri periferike ndaj insulinës, duke u bazuar edhe në faktin e njohur prej kohësh se hormoni mashkullor redukton depozitat e yndyrës dhe shton masën muskulore skeletore", shkruajnë autorët, të cilët kanë ekzaminuar 94 burra me diabet tip 2. Nga këta, 44 pjesëmarrës me nivele të ulëta testosteroni u caktuan që të merrnin një injektim javor testosteroni ose placebo për 24 javë.
Dhe rezultatet tregojnë se suplementimi hormonal, edhe pse duke mos e modifikuar peshën trupore, ka reduktuar me rreth tre kile yndyrën totale duke shtuar masën muskulore në masë të njëjtë dhe duke rritur në mënyrë domethënëse edhe ndjeshmërinë periferike ndaj insulinës. "Duke qenë se dy të tretat e njerëzve me diabet të tipit 2 kanë nivele të ulëta testosteroni, këto të dhëna ofrojnë informacione të çmuara mbi përfitimet e terapisë me hormonin mashkullor", përfundon Dandona.
Diabetes Care. 2016. doi: 10.2337/dc15-1518