qer62016
Barnat në neuropsikiatri, sa pak dihet për mekanizmat e veprimit
Terapia farmakologjike e sëmundjeve psikiatrike dhe neurologjike mund të jetë në "rrezik". Alarmin e ka lançuar Sam J. Enna, president i Federatës Botërore të Farmakologjisë. Në pjesën më të madhe të barnave në dispozicion (shitja e të cilave është në rritje të vazhdueshme për shkak të plakjes progresive të shoqërisë), nuk njihen mekanizmat e veprimit ose ka të dhëna të pasigurta, nënvizon Enna, për të cilin është urgjente të shtohen studimet in vivo: Pra eksperimentet në kafshët e laboratorit janë të domosdoshme për të zbuluar molekula të reja që të kundërshtojnë përparimin e këtyre sëmundjeve. Përdorimi i barnave dedikuar kontrollit të sëmundjeve të fushës psikiatrike është në një rritje marramendëse: rreth 15 milionë italianë i përdorin kundër stresit, depresionit dhe sëmundje të tjera penguese, edhe tregu i barnave neurologjike ka një rritje të numrit të të sëmurëve me patologjitë që lidhen me plakjen.
"Në fund të fundit, - pohon Enna, - trajtimi i këtyre sëmundjeve është ndryshe nga trajtimi i një frakture apo gripi sepse në raste të tilla e njohim shkakun, ndërsa në sëmundjet e Sistemit Nervor Qendror (Snc) kemi të bëjmë me shumë shkaqe të panjohura. Eksperti ka listuar kështu një sërë barnash gjerësisht të përdorura, prej të cilave "nuk njihet ose është i pasigurt mekanizmi i veprimit": psikobarna si anestetikët, qetësuesit, opiodet për dhimbjen kronike, antipsikotikët për skizofreninë, antidepresivët klasikë, por edhe litiumi, si dhe molekulat që ngadalësojnë Alzheimerin, Parkinsonin e Sla-në.
Por nëse janë efikase, përse është kaq e rëndësishme të njihet mekanizmi i veprimit të këtyre barnave? "Kërkimi farmakologjik është kompleks sepse i drejtohet studimit të ndërveprimeve mes një substance kimike dhe organizmit të gjallë: ky i fundit përbën një bashkësi receptorësh të ndryshëm, sistemesh të neuromodulimit, qelizash dhe indesh me kanale jonike me kalim uji dhe kripërash nëpërmjet membranave, ngacmuesve, qetësuesve etj. Ndërkaq ndërhyrja e një bari mund të ndodhë në nivele të ndryshme dhe prandaj mund të thuhet se një bar nuk është kurrë i pajisur me një mekanizëm të vetëm veprimi", pohon presidenti i Shoqatës Italiane të Farmakologjisë (SIF), Cantelli Forti.
"Nëse marrim si shembull antibiotikët dhe kimioterapikët është e vërtetë se me përdorimin e tyre ndiqet një terapi e fokusuar për të luftuar shkaqet e sëmundjes, por nuk mund të përjashtojmë efekte të tjera farmakologjike, edhe efekte të padëshiruara.
Nëse flasim për farmakologji simptomatike i referohemi molekulave që veprojnë si "modulatorë" nëpërmjet ndërveprimit me një receptor apo neurotransmetues ose në osmozën brenda-jashtë-qelizore, duke marrë kështu një përgjigje që në fakt është efekti. Përgjigja farmakologjike që vjen mund të jetë mbizotëruese për një sëmundje të caktuar, për të cilën regjistrohet bari. Megjithatë mundësia e përdorimit jashtë indikimeve tregon se i njëjti bar nëpërmjet ndërveprimeve të njëjta ose të tjera përcakton një tjetër përgjigje, ndoshta të paregjistruar për motive të ndryshme.
Përse ky diskutim është kaq i rëndësishëm në fushën neuropsikiatrike? "Në patologjitë neuro-psikiatrike, është mjaft e zakonshme që barnat të kenë më shumë efekte, edhe për shkak të mekanizmave të ndryshme të veprimit, prandaj është korrekt pohimi i prof. Sam Enna se këto mekanizma mund të mos njihen në mënyrë të detajuar. Në disa raste hipoteza mbi baza eksperimentale të një ndërveprimi bar-receptor mund të jetë justifikuese e efektit të arritur, por në rate të tjera modulimi i një sistemi nuk qartëson në mënyrë të saktë mekanizmin e veprimit. Për shembull marrja e një antistaminiku nxit përgjumjen dhe mund të japë depresion; acidi valproik përdoret si antiepileptik por është i rëndësishëm edhe në çrregullimin bipolar; difenilidantoina, historikisht e përdorur në trajtimin e epilepsisë, ka efekte edhe në zemër për kontrollin e aritmive ventrikulare", thotë Forti.
"Sot shoh me shqetësim tentativën për të kufizuar progresin e vazhdueshëm të farmakologjisë në gjithanshmërinë e saj terapeutike me qëllim që të kontrollohen shpenzimet shëndetësore: i referohem faktit se për një klasë farmakologjike kërkohet të konsiderohen të gjitha molekulat ekuivalente për të zgjedhur vetëm barin me koston më të ulët. E konsideroj këtë qasje të rëndë sepse shkel të drejtat përshkruese të mjekut në bazë të shkencës dhe ndërgjegjes, duke iu imponuar një justifikim i rëndë në rast orientimi të ndryshëm terapeutik, - nënvizon presidenti SIF, - Sepse kështu risku është i qartë nga efektet e mundshme interaktive, edhe për shkak të shumanshmërisë së veprimit të një molekule", thotë Forti.
"Si farmakolog eksperimental mendoj se duhet gjithashtu të shtojmë kërkimet e bazës që në pjesën më të madhe të rasteve janë të orientuara në njohjen e mekanizmave të veprimit të barnave (terapeutike dhe toksike) meqë vetëm në këtë mënyrë do të merren elementë më të saktë për një studim më të fokusuar të barit në fazat e zhvillimit klinik", përfundon ai.
Arturo Zenorini