qer72016
"Farma&Friends", përfundon me sukses grumbullimi i fondeve për bamirësi i promovuar nga Edra dhe Federfarma
U përmbyll dje, me mbrëmjen e bamirësisë në hotel Hilton-Rome Cavalieri, grumbullimi i fondeve të "Farma&Friends", nismë e rëndësishme solidariteti dhe afirmimi i etikës së farmacistëve e promovuar nga Edra dhe Federfarma Roma me mbështetjen e Teva-s. "Kemi pasur një bum anëtarësimesh që nuk i prisnim, gjë që na ka lejuar të mbledhim fonde me të cilat të bëjmë shumë më shumë nga sa imagjinonim. Dje në darkë ishim rreth 1250 vetë. Kësaj duhet t'i shtojmë edhe të gjitha fitimet e këtyre muajve të arritura nga shitjet e lidhura më këtë event", është shprehur Vittorio Contarina, president i Federfarma Roma gjatë eventit.
Pikërisht falë fondeve të mbledhura "Farma&Friends" ka mundësuar në fakt realizimin e tre ndërhyrjeve shumë të rëndësishme të tilla si: inkubatorin termik për transportin e foshnjave në ambulancë, unik në llojin e tij në Itali për sa i përket teknologjisë dhe funksionimit që i është dhuruar poliklinikës "Umberto I" në Romë; një aparaturë dhuruar poliklinikës "Gemelli" që shërben për kryerjen e një banje të ngrohtë për personat në pamundësi lëvizjeje dhe mbështetjen materiale në shtëpinë e pritjes ""Suor Bernardette", që mirëpret familjarët dhe fëmijët e të sëmurëve onkologjikë të Spitalit Bambino Gesù në Romë.
"Edhe njëherë farmacistët romanë kanë treguar një bujari të madhe, - shtoi Contarina, - dhe se janë gjithnjë e më pranë personave që vuajnë. Kanë treguar se janë farmacistë jashtë mureve të farmacisë dhe se janë të ndërgjegjshëm se ai i farmacistit nuk është një profesion por një mision dhe si i tillë duhet çuar përpara gjithnjë e në çdo kohë".
Gjatë darkës së bamirësisë, në të cilën mori pjesë edhe ministrja e Shëndetësisë në Itali, Beatrice Lorenzin; presidenti i rajonit të Lacios, Nicola Zingaretti dhe drejtori i përgjithshëm i Aifa-s, Luca Pani është vlerësuar me çmim fituesja e konkursit "I <3 F&F" (I love Farma&Friends), Germana Minniti-Cieli, e cila ka realizuar një video duke fluturuar për Farma&Friends në 4.200 mt lartësi.
Por qëllimi i nismës së bamirësisë nuk do të ezaurohet me eventin e mbrëmshëm, siç deklaroi presidenti Contarina: "Objektivi ynë është që t'i realizojmë këto nisma çdo vit. Jam i bindur se të bërit mirë iu bën mirë të gjithëve, nëse bëhet me një buzëqeshje është edhe më mirë".