qer242016
Antidepresivët te fëmijët dhe adoleshentët: Pjesa më e madhe e barnave nuk janë efikase
Te fëmijët dhe adoleshentët me depresion madhor, shumë nga antidepresivët janë jo-efikasë dhe ndonjëherë të rrezikshëm, sipas një studimi të publikuar në revistën "The Lancet", i cili nënvizon se nga 14 barna të marra në shqyrtim, vetëm fluoxetina lehtëson simptomat depresive më mirë se placeboja. Nga ana tjetër duket se venlafaxina është e lidhur me një rritje të riskut për mendime dhe tentativa vetëvrasëse.
"Ekuilibri mes risqeve dhe përfitimeve të antidepresivëve në trajtimin e depresionit madhor nuk ofron avantazhe të qarta te fëmijët dhe adoleshentët, me përjashtim ndoshta të fluoxetinës", pohon një nga autorët e studimit, Peng Xie nga "Chongqing Medical University" në Kinë. Megjithatë ai shton se pa pasur një akses në të dhënat e studimeve të tjera, jo vetëm që është e vështirë të arrihen vlerësime të sakta të efekteve të barnave të ndryshme, por nuk mund as të verifikohet saktësia e rezultateve të ndryshme të pasqyruara në studime të publikuara ose jo.
"Qindra mijëra persona në botë kanë pranuar të marrin pjesë në studime për të gjetur kura më të mira për sëmundjet e tyre duke kontribuar në progresin e shkencës, por çdo vonesë në ofrimin dhe ndarjen e të dhënave (ndonëse duke garantuar privatësinë e pacientëve), mund të ketë pasoja negative në kërkimet e tjera klinike, siç e tregon edhe ky studim", shkruajnë kërkuesit. Ata nënvizojnë se aksesi në të dhënat e grupeve të ndryshme të kërkimit ofron mundësinë jo vetëm që të vërtetohen dhe replikohen rezultatet, por edhe të studiohen në mënyrë të thelluar faktorë specifikë, të cilët janë në gjendje që të ndikojnë rezultatet e trajtimit te secili pacient.
Jon Jureidini nga Universiteti i Adelaides në Australi, pohon në një editorial se: "Në katër studime mbi paroxetinën, vetëm 3% nga 413 rastet vetëvrasëse janë raportuar në grupin aktiv krahasuar me placebon, gjë që tingëllon e vështirë për t'u besuar duke qenë se nga ri-analizimi i vetëm njërit studim rezultojnë 10 raste vetëvrasëse në 93 pacientë të trajtuar".
The Lancet 2016. doi: 10.1016/ S0140-6736(16)30385-3http://www.thelancet.com/journals/lancet/article/PIIS0140-6736(16)30385-3/abstract