nën92021
Demenca. Mirtazapina nuk është më e mirë se placeboja
Sipas një studimi të botuar në Lancet, mirtazapina, një medikament antidepresiv që përdoret ndonjëherë për të trajtuar gjendjen e axhitimit te njerëzit me demencë, nuk është më efektiv sesa placeboja dhe madje mund të shkaktojë shtim të vdekshmërisë. "Axhitimi është një simptomë e zakonshme e demencës, që karakterizohet nga një aktivitet verbal, vokal ose motorik i papërshtatshëm dhe shpesh përfshin agresion fizik dhe verbal. Asistenca jo farmakologjike me në qendër pacientin është zakonisht ndërhyrja e parë që ofrohet, por kur nuk funksionon, mjekët mund të kalojnë në një alternativë të bazuar te barnat", shpjegon Sube Banerjee (Universiteti i Plymouthit), i cili drejtoi ekipin e punës. "Antipsikotikët kanë demonstruar se rrisin shkallën e vdekshmërisë te njerëzit me demencë, së bashku me rezultate të tjera negative dhe për këtë arsye, antidepresivi mirtazapine përshkruhet në mënyrë rutinë", vazhdon Banerjee.
Studiuesit rekrutuan 204 njerëz me sëmundje të mundshme Alzheimeri nga 20 qendra në Britaninë e Madhe dhe i përzgjodhën ata në mënyrë rastësore për të marrë mirtazapine ose placebo. Rezultatet treguan se pas 12 javësh në grupin e mirtazapinës, pacientët treguan jo më pak axhitim sesa në grupin e kontrollit. Përveç kësaj, në grupin e mirtazapinës pati më shumë vdekje (shtatë) brenda javës së 16-të sesa në grupin e kontrollit (një), megjithëse një analizë sugjeroi se ky fakt kishte rëndësi statistikore margjinale. "Ky studim tregon se një mënyrë e zakonshme e menaxhimit të simptomave nuk është e dobishme dhe madje mund të jetë e dëmshme. Është shumë e rëndësishme që këto gjetje të merren parasysh dhe që mirtazapina të mos përdoret më për të trajtuar axhitimin te njerëzit me demencë", konfirmojnë autorët. Ekspertët arrijnë në përfundimin se ky studim ka shtuar informacione të rëndësishme në provat tashmë të disponueshme dhe theksojnë se duhet pritur koha kur ata mund të hetojnë trajtime të mëtejshme që mund të ndihmojnë në përmirësimin e cilësisë së jetës së njerëzve.
Lancet 2021. Doi: 10.1016/S0140-6736(21)01210-1
https://doi.org/10.1016/S0140-6736(21)01210-1