kor222016
Jo vetë-përshkrimit të antibiotikëve në moshë pediatrike
Mosha pediatrike 0 - 2 vjeç është ajo në të cilën regjistrohet konsumi më i madh i barnave: 82.2 doza ditore në çdo 1000 fëmijë, shkruhet në një raport të fundit të Agjencisë Italiane të Barnave (AIFA). Statistikat e tjera tregojnë se te adoleshentët në moshë 14 - 17 vjeç konsumohen mesatarisht 75.8 ditore në çdo një mijë banorë, te fëmijët e moshës 3 - 5 vjeç (71.1 doza), te pre-adoleshentët 11 - 13 vjeç (60.9 doza) dhe te fëmijët që frekuentojnë shkollën fillore 6-10 vjeç (54.2 doza ditore në 1000 fëmijë).
"Këto të dhëna ishin të pritshme, - komenton presidenti i Shoqatës Italiane të Pediatrisë (Sip) Giovanni Corsello, - Mosha pediatrike është mosha ku fëmija fillon socializimin p.sh. me regjistrimin në çerdhe duke e shtuar kontaktin me agjentët viralë ose bakterialë që mund të shkaktojnë infeksione, pra konsumi i barnave është edhe i lidhur me nevojën për të ulur temperaturën trupore, për të lehtësuar disi bezdinë dhe dhimbjen si dhe për të trajtuar infeksionet".
Barnat më të përdorura sipas raportit të AIFA-s janë ato që trajtojnë aparatin e frymëmarrjes (35.6%) dhe barnat gastrointestinale (25.5%). Sipas Corsello nuk sinjalizohen abuzime të veçanta përveç faktit të rëndë të përshkrimit të papërshtatshëm të antibiotikëve për infeksione që nuk janë bakteriale por virale, gjë e cila rëndon fenomenin e antibiotikorezistencës. Specialistët e çojnë gjithashtu vëmendjen në rëndësinë e shmangies së auto-përshkrimit, veçanërisht të rrezikshëm për fëmijët shumë të vegjël:
"Përdorimi i barnave duhet të jetë gjithnjë i drejtuar nga pediatri dhe është fryt i ndërveprimit të pediatrit me familjen, në mënyrë që të shmanget papërshtatshmëria dhe efektet anësore. Gjithashtu ekziston risku që të përdoren për fëmijët barna të destinuara për të rriturit të cilat janë tashmë në shtëpi, event që mund të shkaktojë një numër më të madh efektesh anësore sepse fëmija ka veçori fiziologjike që shpesh nuk lejojnë përdorimin e barnave për të rritur, vetëm duke reduktuar dozat".