dhj72016
Psikobarnat dhe opiodet, rritet abuzimi. Përgjegjës, kanalet e paligjshme online
Edhe në Europë ashtu si në Shtetet e Bashkuara është në rritje abuzimi me psikobarnat, të tilla si painkiller-at që iu përshkruhen zakonisht të sëmurëve onkologjikë dhe atyre që vuajnë nga dhimbje kronike e post operatore të rënda, e që merren kryesisht nga të rinjtë.
Një nga ekspertët që jep alarmin është Affio Lucchini, psikiatër dhe ish-president i Federserd (Federata italiane e operatorëve të departamenteve dhe shërbimeve), i cili komenton rezultatet e një hetimi të ri mbi konsumin e drogave në Milano, të realizuar nga ATS, Agjencia për Mbrojtjen e Shëndetit. Për realizimin e tij janë mbledhur 3 mijë pyetësorë anonimë nga persona me moshë 14-65 vjeç, të cilët japin një panoramë të përdorimit dhe abuzimit të substancave psikoaktive, kryesisht mes më të rinjve. Sipas të dhënave të mbledhura, qetësuesit blihen pa recetë nga 1.5% e milanezëve, ndërsa antidepresivët nga 4.1%, pra mesatarisht 3.6% e popullatës i merr këto barna jashtë kontrollit mjekësor.
"Ky kërkim konfirmon të dhënat në nivel europian dhe kombëtar, - vazhdon Lucchini, - të cilat tregojnë një rritje për shkaqe të ndryshme të tendencës së njerëzve për të marrë psikobarna të ndryshme, jashtë protokollit dhe përshkrimit mjekësor të drejtpërdrejtë. Është një aspekt që duhet mbajtur nën vëzhgim, sepse disa psikobarna, të tilla si anksiolitikët dhe hipnotikët, mund të çojnë në varësi".
Për Lucchinin është e rëndësishme edhe të evidentohet se si fenomene të caktuara të abuzimit janë më masive në zonat metropolitane në krahasim me ato rurale dhe periferike. Por mbetet të kuptohet se nga merren këto barna, që sipas rregullit duhet të blihen vetëm me recetë mjekësore. Eksperti përjashton nga faji farmacitë, duke qenë se kanali më i përdorur për blerjen e tyre mbetet ai i tregut të paligjshëm online.