mar142017
Terapitë anti-kancer, në Francë ndalohet përdorimi i docetaxel
Agjencia rregullatore franceze (ANSM) dhe Instituti kombëtar i kancerit (INCA) kanë vendosur si masë paraprake dhe të përkohshme ndalimin e përshkrimit të barit anti-kancer docetaxel për kancerin e gjirit të lokalizuar dhe të operueshëm.
Vendimi lidhet, siç raportojnë dy entet, me disa vdekje të dyshimta nga gushti i vitit të kaluar e deri në shkurt të 2017-s, të cilat e kanë nxitur ANSM-në që të nisë një hetim, rezultatet e të cilit pritet të dalin më 28 mars. Indikacioni ka të bëjë edhe me mundësinë e përdorimit të një bari alternativ, paclitaxelin, në neoplazitë e sinjalizuara të gjirit dhe siç shpjegon agjencia, nuk lidhet tani për tani me përdorimin e barit në forma të tjera tumorale.
Gjithsesi "është e domosdoshme një vigjilencë e madhe dhe çdo indikiacion duhet të vlerësohet individualisht duke informuar pacientët mbi opsionet e ndryshme terapeutike", shkruhet në komunikatën drejtuar onkologëve, të cilëve iu është dërguar që më parë dokumenti që i informon për 5 vdekje të dyshimta.
ANSM dhe INCA do të ndajnë informacionet dhe rezultatet e hetimeve të ndryshme në vazhdim për të marrë më pas masat e duhura, vazhdon komunikata. Ftesa për onkologët, por edhe për shoqatat e pacientëve është që të sinjalizojnë në një kohë sa më të shkurtër mbi efektet e padëshiruara në qendrat e farmakovigjilencës.