pri72017
Opiodet dhe benzodiazepinat: përdorimi i njëkohshëm rrit riskun për mbidozë
Sipas një studimi të publikuar në British Medical Journal, përdorimi i opiateve në të njëjtën kohë me benzodiazepinat lidhet me një risk të shtuar për mbidozë nga opiodet. Në shumë vende ky fenomen përfaqëson një rrezik të mundshëm për varësi dhe mbidozë duke rritur edhe shqetësimin për shëndetin publik. "Thuajse 30% e episodeve vdekjeprurëse si pasojë e overdozës nga opiodet në Shtetet e Bashkuara përfshin edhe benzodiazepinat", pohon Eric Sun nga Department of Anesthesiology, Perioperative and Pain Medicine, në Stanford University School of Medicine, i cili bashkë me kolegët është përpjekur të identifikojë variacionet në përdorimin e njëkohshëm të këtyre dy kategorive, për të vlerësuar impaktin në shtrimet spitalore dhe vizitat në urgjencë për overdozë nga opiodet.
Studimi ka përfshirë më shumë se 300.000 persona me moshë 18 - 64 vjeç, të cilëve iu përshkrua një opiod mes viteve 2001 dhe 2013 dhe zbuloi se 9% e personave kishin marrë edhe një përshkrim benzodiazepine në vitin 2001 kundrejt 17% në vitin 2013, duke pësuar një rritje prej 80%.
Me përdorimin e njëkohshëm të dy barnave vihej re një risk i shtuar ndjeshëm për mbidozë të opiodeve. "Bëhet fjalë për një studim vëzhgimor, pra nuk mund të nxirret asnjë përfundim mbi lidhjen shkak/efekt", saktësojnë autorët të cilët më pas shtojnë: "Megjithatë nëse kjo lidhje do të ishte vërtet shkakore, eliminimi i përdorimit të njëkohshëm të benzodiazepinave dhe opiodeve mund të ulë riskun me 15%". Në një editorial shoqërues, Pinar Karaca-Mandic, nga University of Minnesota School of Public Health në Mineapolis, komenton se edhe pse shqetësimi për përdorimin e njëkohshëm të opiodeve dhe benzodiazepinave ka çuar në sinjalizime dhe udhëzues, nuk ka gjasa që të arrihet në një ndryshim të sjelljes klinike afatshkurtër.