qer152017
Evidencat e studimeve të fundit: Erenumab efikas kundër migrenës
Gjatë takimit vjetor të American Headache Society të zhvilluar në Boston, u njoftua se Novartis do të paraqesë 18 abstrakte shkencore (mes të cilave një analizë e re) që dëshmojnë efikasitetin e erenumab (AMG 334) te pacientët të cilët vuajnë për më shumë se 15 ditë në muaj nga migrena, dhe përdorin një numër të madh barnash. Do të publikohen gjithashtu rezultatet e studimeve klinike të fazës III STRIVE dhe ARISE të zhvilluara ndaj erenumab në pacientë që vuajnë nga migrena për 4-14 ditë në muaj. Studimet kanë vlerësuar reduktimin e ditëve me migrenë dhe përqindjen e pacientëve që i janë përgjigjur trajtimit me erenumab.
Erenumab është një antitrup monoklonal, plotësisht human i projektuar specifikisht për të bllokuar në mënyrë selektive dhe të fuqishme receptorin e peptidit të lidhur me gjenin e kalcitoninës, CGRP, i cili mendohet se mund të ketë një rol kyç në ndërmjetësimin e dhimbjes paralizuese të migrenës. Përdorimi eksesiv i barnave për t'u çliruar nga kjo dhimbje e fortë është i zakonshëm mes personave që vuajnë nga migrena. Këta, vazhdojnë të përdorin një sasi gjithnjë e më të madhe barnash specifike duke kërkuar dëshpërimisht që të kontrollojnë simptomat. 48% e pacientëve të regjistruar në studimin klinik me erenumab për parandalimin e migrenës kronike kishin një histori të kohëve të fundit të përdorimit eksesiv të barnave. Edhe në këtë popullatë pacientësh të vështirë për t'u trajtuar, erenumab ka treguar përfitime domethënëse. Dy dozat e erenumab, 70 mg dhe 140 mg kanë treguar në fakt, një reduktim domethënës të numrit të ditëve me migrenë gjatë një muaji, me një mesatare prej - 6.6 ditë krahasuar me fillimin. "Migrena është një nga sëmundjet neurologjike me efektin më paralizues, por shpesh është e pakuptuar ose e papërfillur, ndonëse ka efekte shkatërruese në jetën personale dhe profesionale të pacientëve, - deklaron Vasant Narasimhan, Global Head Drug Development dhe Chief Medical Officer në Novartis, i cili shton: - Me erenumab jemi vetëm një hap larg objektivit, pra ofrimit të një terapie parandaluese efikase dhe të toleruar mirë, e cila do t'iu vijë në ndihmë pacientëve për t'iu rikthyer jetës normale".
Novartis
https://www.novartis.com/news/media-releases/novartis-presents-data-demonstrating-efficacy-amg-334-erenumab-migraine