kor72017
Ndërhyrja e farmacistëve optimizon ndjekjen e terapisë. Një nismë nga Msd dhe Celesio Uk
Një program në mbështetje të pacientëve dëshmon se një ndërhyrje e organizuar e farmacistëve mund të përmirësojë ndjeshëm ndjekjen e terapisë nga personat me diabet. Konfirmimi i radhës për rolin esencial të farmacistëve vjen nga Britania e Madhe. Programi ka lindur nga një iniciativë e Msd dhe Celesio UK, ku Laura Southall drejton pikërisht suportin që iu jepet pacientëve për të rritur aderimin e tyre në terapi. "Jemi përpjekur të ofrojmë një mbështetje të fokusuar posaçërisht te nevojat individuale të pacientëve. I kemi ndarë ata në tre grupe bazë sipas riskut të mospjesëmarrjes në terapi, duke dalluar atë të qëllimshme nga ajo e paqëllimshme". Dhe faktorët që ndikojnë në mos aderim janë disa: opinionet dhe shqetësimet e pacientit lidhur me barnat, deri te kostoja dhe kompleksiteti i regjimit terapeutik.
Në program morën pjesë 225 pacientë dhe farmacistët koordinuan punonjësit e qendrës shëndetësore që mbajtën kontakte me pacientët për gjashtë muaj nëpërmjet telefonit dhe mesazheve. Grupi i punës përbëhej nga ekspertë në diabetologji, të cilët u trajnuan mbi modalitetet e bisedave motivuese për t'i ndihmuar pacientët që të merrnin në dorë personalisht kontrollin e gjendjes së tyre patologjike dhe të arrinin përfitimin maksimal nga barnat.
Suksesi më i madh është arritur në 74 pacientët të "vështirë", të klasifikuar si më në risk për mos respektimin e terapive. Falë këshillimit që morën këta pacientë e rritën pjesëmarrjen në terapi mesatarisht nga 57.2% në 80.9%. Dhe pikërisht ata që në fillim të programit kishin aderencë më të ulët, regjistruan përmirësimet më domethënëse duke kaluar nga 33.6% në 95.1%.
Duke komentuar rezultatet pozitive të programit, Samuel Pygall, përgjegjës i programit shpreson që këto lloj projektesh të shtrihen edhe më tej dhe thotë se "farmacistët falë pozicionit të tyre mund të kenë impakt të madh te pacientët".