nën282017
Triptanet, përdorim i sigurt te femrat shtatzëna me migrenë
Në trajtimin e migrenës gjatë shtatzënisë përdorimi i triptaneve është i sigurt, sipas një studimi të publikuar kohët e fundit në "Cephalalgia", pasi nuk janë teratogjenikë të rëndësishëm. "Sidomos në rast nevoje urgjente gjatë shtatzënisë, - shprehen autorët e koordinuar nga Christof Schaefer nga departamenti i toksikologjisë embrionale pranë Qendrës së Farmakovigjilencës në Universitetin Mjekësor Charité, Berlin, - një opsion trajtimi i pranueshëm është sumatriptani, meqenëse ky është triptani më mirë i studiuar deri më sot. Në rastin e ekspozimit gjatë tremujorit të parë të shtatzënisë ndaj barnave të kësaj kategorie më pak të studiuara, duhet të ofrohet një ekografi më e detajuar e fetusit. Për të arritur në këto rezultate, ekipi i Schaefer ka kryer një studim vëzhgues në një kohortë prej 432 grash shtatzëna të ekspozuara ndaj triptanit dhe të regjistruara në sistemin "German Embryotox".
Duhet thënë se në të shkuarën ka pasur literaturë të ndryshme që sugjeronte se si triptanet mund të shkaktonin peshë të vogël në lindje, aborte spontane dhe lindje të parakohshme, por në këtë studim të kryer në perspektivë nuk është hasur asnjë provë për evente të tilla. Rezultatet e shtatzënisë u ballafaquan me një kohortë krahasuese me 1.733 femra me migrenë dhe me një kohortë tjetër me femra me migrenë por që nuk merrnin triptane.
Të dhënat e para treguan defekte të mëdha në lindje dhe abort spontan; të dhënat e dyta treguan lindje të parakohshme, peshë të vogël në lindje, komplikime gjatë shtatzënisë dhe një normë të lartë shtatzënish të përfunduara me zgjedhje të lirë. Sumatriptan ishte triptani më i përdorur (n=253 femra), i ndjekur nga zolmitriptan (n=75) dhe rizatriptan n=65). Pjesa më e madhe e femrave që morën triptane gjatë shtatzënisë (75.2%) u ekspozuan gjatë tremujorit të parë ndaj toksicitetit të barit. Kjo është dhe periudha në të cilën fetuset janë veçanërisht të brishta. Pak prej tyre (2.3%) kanë pasur një ekspozim total prej më shumë se 50 ditësh.
Në krahasim me grupin pa migrenë, normat e defekteve më të mëdha në lindje (OR: 0,84; IC 95% 0,4-1,9), abortet spontane (1,20; 0,9-1,7), lindjet e parakohshme (1,01; 0,7 - 1,5) dhe pre-eklampsitë (1,33; 0,7-2,5) nuk janë rritur në shtatzënitë e ekspozuara ndaj triptaneve. E dhëna merr një rëndësi të veçantë duke konsideruar se përdorimi i barnave kundër migrenës është i zakonshëm te femrat në moshë fertile dhe se deri në 50% të shtatzënive, ekspozimi i paprogramuar dhe jo i qëllimshëm i fetusit ndaj barnave mund të jetë i zakonshëm.
Cephalalgia, 2017 Jul 31. [Epub ahead of print]
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/28758416