dhj192017
Sildenafili, vijnë barnat e reja gjenerike, me gjysmën e çmimit
Nga e hëna e kaluar, janë vënë në dispozicion dy variante barnash gjenerikë të sildenafilit, me qëllim trajtimin për disfunksionin erektil. Varianti i parë është prodhuar nga Teva Pharmaceuticals, ndërsa i dyti nga Greenstone, degë e Pfizerit, e cila prodhon edhe barin e markës, viagrën. Por, këto në fakt nuk do të jenë të vetmet, pasi në vitin 2018, kompani të tjera, mes të cilave, Mylan-i, do të hedhin në treg ekuivalentë të barit. Politika e Greenstone-s për të bllokuar një pjesë të tregut, bazohet në një element shumë të ndjeshëm; në atë ekonomik. Kështu, sildenafili i tij do të ketë një çmim të përgjysmuar, në krahasim me barin e origjinës, atë të Pfizerit. Ai do të kushtojë 30-35 dollarë, ndërkohë që bari i markës kushton 60 dollarë.
Pritshmëritë janë të shumta si nga këndvështrimi klinik, ashtu edhe nga ai i pacientit: "Kostoja e këtyre barnave ka qenë një problem shumë i madh për pacientët, shpjegon Aaron Katz-i, drejtor i Urologjisë pranë Spitalit Uinthrop në Minesota. Shumë pacientë e kanë të pamundur ekonomikisht t'i blejnë këto barna, që nga momenti kur kompanitë e sigurimeve nuk i mbulojnë, pasi kostot janë astronomike. Hedhja e barnave gjenerike në treg do të rritë shpresat për reduktimin e kostove dhe do të lehtësojë blerjen e barit, që ka qenë një zgjidhje e rëndësishme farmakologjike për burrat e shëndetshëm, me disfunksion erektil".
Pfizer-i ka njoftuar ndërkaq një sërë programesh lehtësimi për t'i bërë më të përballueshme kostot për terapinë me barin e markës, si për ata që paguajnë nga xhepi i tyre, ashtu edhe ata për ata që mbulohen nga sigurimet.
Nga ana e saj, Teva ka bërë të ditur se synon të ofrojë shërbime mbështetëse për pacientët; në veçanti për ata që kanë kritere të pranueshme për t'u bërë pjesë e një programi me mbulim kostosh ekonomike për një numër të caktuar barnash.