mar12018
Insulina e brezit të ri, redukton rastet e hipoglicemive
Studime të reja të bazuara në praktikën klinike të përditshme kanë treguar se insulina glargine 300 njësi/ml (Toujeo) ka reduktuar ndjeshëm eventet e hipoglicemisë së rëndë, krahasuar me insulinën me veprim të zgjatur, insulinën glargine 100 njësi/ml (Lantus) dhe insulinën detemir. Rezultatet janë bërë të njohura nga Sanofi nëpërmjet një deklarate, pasi janë paraqitur në Konferencën Ndërkombëtare të Teknologjive të Përparuara dhe të Trajtimit të Diabetit (ATTD) që është mbajtur në Vienë muajin e fundit. Në studimin Lightning, janë veçuar 10.000 pacientë me diabet të tipit 2, që kanë kaluar nga përdorimi i një insuline të çfarëdoshme me veprim të zgjatur, në insulinën glargine 300 njësi/ml, insulinën glargine 100 njësi/ml, insulinën detemir apo insulinën degludec dhe është vënë re se Toujeo redukton më shumë se 60% (krahasuar me insulinën glargine 100 njësi/ml dhe me insulinën detemir), numrin e episodeve të rënda hipoglicemike të lidhura me vizitën në spital apo në urgjencë të pacientëve të mbajtur nën vëzhgim. Të dhënat kanë treguar edhe se numri i eventeve të hipoglicemisë së rëndë janë të krahasueshme mes Toujeo-s dhe insulinës degludec.
Reduktimi i glicemisë nuk është kompromentuar në asnjërin nga grupet e trajtimit. Hipoglicemia e rëndë është një problem i rëndësishëm për operatorët shëndetësorë. Në vitet 2007-2011 vlerësohet se kanë qenë 100.000 në vit individët e vizituar në urgjencën e Shteteve të Bashkuara për një event hipoglicemik. Hipoglicemia e rëndë mund të paraqesë një problem të rëndë për pacientët. Studimi Lightning, studime të tjera të mëparshme me përzgjedhje rastësore dhe analizat me Toujeo-n, përfshi programet Edition e Deliver, tregojnë një reduktim të ndjeshëm të rrezikut hipoglicemik për pacientët me diabet të tipit 2, krahasuar me disa insulina bazë të brezit të parë.
Rreziku më i ulët i hipoglicemisë krahasuar me insulinën glargine 100 njësi/ml është konfirmuar në më shumë studime klinike. Studimet kanë treguar edhe një profil më të qëndrueshëm të Toujeo-s krahasuar me insulinën glargine 100 njësi/ml dhe një profil më të kënaqshëm me më pak luhatje të përditshme me Toujeo-n, krahasuar me insulinën degludec.
"Ne, si Sanofi, jemi angazhuar për të bërë studime klinike mbi barnat tona. Këto i ndihmojnë operatorët shëndetësorë të kuptojnë më mirë efikasitetin e tyre, por edhe të marrin informacione të rëndësishme në lidhje me sigurinë, siç është rreziku i hipoglicemisë, krahasuar me opsione të tjera të trajtimit", ka deklaruar Antonio Tataranni MD, nënpresident & shef i Çështjeve Mjekësore, Diabetit dhe Sëmundjeve Kardiovaskulare në Sanofi. "Ky studim u shtohet një sërë fakteve të qëndrueshme që e kanë krahasuar Toujeo-n me insulina me kohë të gjatë veprimi. Gjithashtu, këto të dhëna forcojnë bindjen tonë në të mësuarit nga bazat e të dhënave dhe duke i zgjeruar kufijtë e studimeve në botën e vërtetë, në mënyrë që profesionistët e shëndetësisë dhe vendimmarrësit të mund të përdorin të dhënat si mbështetjen e duhur për të marrë vendime të ndërgjegjshme në lidhje me trajtimet".