mar162018
Kërkuesit e pranojnë: kanabidioli redukton dhe zhduk krizat epileptike te pacientët pediatrikë
Sipas një rishikimi të literaturës së publikuar online në "Journal of Neurology, Neurosurgery & Psychiatry", kanabinoidet janë efikase në reduktimin e frekuencës së krizave konvulsive në masën 50% ose më shumë, kur përdoren si trajtim shtesë në epilepsinë rezistente ndaj trajtimit, duke nisur në moshë pediatrike.
"Disa kërkime të mëparshme kanë sugjeruar se përbërjet e pranishme në natyrë, siç janë kanabisi dhe kanabinoidet, mund të zbutin konvulsionet. Një nga këto kanabinoide, kanabidioli CBD, ndryshe nga tetrahidrokanabinoli, nuk shkakton ndjesinë e euforisë ose efekte anësore që ndikojnë mbi mendjen. Për t'u thelluar në këtë temë, ne kemi zhvilluar kërkime në baza të ndryshme të dhënash, duke ekzaminuar ndikimin që kanë kanabinoidet, nëse i shtohen trajtimit të zakonshëm të krizave epileptike", shpjegon Emily Stockings (Qendra e Kërkimeve mbi Alkolin dhe Drogat, Sidnej), autore kryesore e studimit. Kërkuesit kanë përfshirë të dhëna nga gjashtë studime me përzgjedhje rastësore dhe të kontrolluara, si dhe nga 30 studime vëzhguese.
Rezultatet që duhen marrë në konsideratë janë reduktimi prej 50% ose më shumë i episodeve konvulsive, mungesa e plotë e konvulsioneve dhe cilësia më e mirë e jetës. Kërkuesit kanë zbuluar se, krahasuar me placebon, kanabidioli i marrë në doza prej 20 mg/kg/die, ishte më efikas në reduktimin e frekuencës së krizave, deri në masën 50% ose më shumë. Numri i nevojshëm i trajtimeve që një person të ketë një reduktim prej 50% ose më shumë të krizave, ishte tetë. Kanabidioli është shfaqur më efikas se placeboja edhe në arritjen e mungesës së plotë të konvulsionee dhe në përmirësimin e cilësisë së jetës; nga ana tjetër, megjithatë, ai lidhej me një shtim të rrezikut për efekte të padëshirueshme, deri edhe të rënda.
Përmbledhtazi, mund të themi se, në 17 studime vëzhguese, 48,5% e pacientëve ka shfaqur një reduktim prej 50% apo më shumë të konvulsioneve dhe në 14 studime vëzhguese, 8,5 % e tyre nuk kishte më konvulsione. "Rezultatet tona tregojnë se kanabidioli farmaceutik si trajtim i shtuar në epilepsinë rezistente ndaj barnave dhe me nisje në moshë pediatrike, mund të reduktojë frekuencën e konvulsioneve", përfundojnë autorët.
J Neurol Neurosurg Psychiatry. 2018. doi: 10.1136/jnnp-2017-317168
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/29511052