mar192018
Sindroma akute koronare. Frenuesi i Pcsk9-tës redukton rrezikun kardiovaskular
Alirokumabi redukton ndjeshëm rrezikun për të patur ngjarje të pafavorshme kardiovaskulare (MACE), të tilla si ataku i zemrës, te pacientët me sindromë koronare akute (SCA). Këto janë rezultatet e studimit klinik Odyssey Outcomes, të paraqitura gjatë kongresit të 67-të vjetor të Kolegjit Amerikan të Kardiologjisë të mbajtur këtë mars në Florida. Një deklaratë nga Sanofi dhe Regeneron Pharmaceuticals, Inc. nënvizon se studimi mbi barin Praluent (emri tregtar), ka arritur rezultatet përfundimtare.
«Prezantimi i të dhënave që kanë dalë nga studimi Odyssey Outcomes ishte në qendër të këtij edicioni të Kongresit ACC», tha profesor Michele Gulizia, President i Fondacionit të Kardiologjisë Spitalore ANMCO, ndërsa bënte prezantimin e rezultateve. "Sot kemi prova të forta për të mbështetur përdorimin e alirokumabit pas një ngjarjeje akute të sindromës koronare. Në fakt, ky frenues i PCSK9-tës ka treguar se redukton më tej rrezikun kardiovaskular edhe në pacientët e trajtuar tashmë me terapinë më të mirë në dispozicion". "Rezultatet e studimit janë në përputhje me studimet e mëparshme mbi statinat dhe tregojnë se përfitimi më i madh është vënë re te pacientët me nivele më të larta të kolesterolit bazë", komenton George D. Yancopoulos, President dhe Shef Shkencor i Regeneron-it.
"Shumë pacientë që i kanë mbijetuar një infarkti të kohëve të fundit ose ndonjë ngjarjeje tjetër koronare, nuk arrijnë ta reduktojnë kolesterolin LDL më pak se 100 mg/dL dhe kanë nevojë urgjente për mundësi të reja trajtimi, pasi janë ende të rrezikuar për të patur një ngjarje tjetër në vazhdim. Në studim, këta pacientë të trajtuar me Praluent, si një trajtim shtesë përveç statinave në dozën maksimale të toleruar, kanë patur një ulje të ndjeshme të rrezikut për ngjarje të padëshirueshme kardiovaskulare".