mar192018
Antitrupi monoklonal që arrin të frenojë astmën e rëndë të pakontrollueshme
Te pacientët me astmë të rëndë të pakontrolluar, pavarësisht trajtimit me omalizumab dhe që mund të nisin trajtimin me mepolizumab, kalimi te ky i fundit ka përmirësuar kontrollin e sëmundjes.
Këtë e bën të njohur një deklaratë e GlaxoSmithKline (GSK) që nënvizon se studimi ka vlerësuar përmirësimin e astmës pas kalimit në terapinë me mepolizumab (antitrup monoklonal anti-Il-5 për pacientët me astëm eozinofilike të rëndë) të pacientëve që kuroheshin me omalizumab (antitrup monoklonal anti IgE për pacientët me ndjeshmëri alergjike) mesatarisht prej 2.5 vjetësh dhe që, pavarësisht kësaj, vazhdonin të kishin një astmë të rëndë, të pakontrolluar.
Në brendësi të studimit, 145 pacientë, të cilët kanë patur të paktën dy përkeqësime të astmës në vitin para regjistrimit, u trajtuan drejtpërdrejt me mepolizumab pa pritur periudhën e "pastrimit" dhe u ndoqën për 32 javët e ardhshme. Në këtë studim, të dhënat e lidhura me mepolizumabin, u krahasuan me vlerat bazë para dozës së parë, përveçse nëse specifikohej ndryshe. Synimi kryesor: kontrollimi i astmës, u arrit me përmirësime të rëndësishme klinike që u vlerësuan nëpërmjet Pyetësorit për Kontrollin e Astmës, me një ndryshim mesatar nga sondazhi bazë prej -1.45, deri në javën e 32-të.
Të gjithë objektivat dytësorë dhe objektivat e tjerë kryesorë të studimit u arritën: norma e përkeqësimeve që kërkonin trajtim me steroid oral, u zvogëlua deri në 64% krahasuar me 12 muajt e mëparshëm; shkalla e përkeqësimeve që kërkonin një vizitë në urgjencë ose hospitalizim, u zvogëlua deri në 69% krahasuar me 12 muajt e mëparshëm; funksioni respirator prej 159 ml u përmirësua krahasuar me matjen bazë; pati një përmirësim në "cilësinë e jetës" (të vlerësuar me Pyetësorin e Frymëmarrjes së Shën Gjergjit) në krahasim me matjen bazë; një reduktim prej rreth 80% të eozinofileve të gjakut u vu re në javën e katërt dhe mbeti e qëndrueshme deri në javën e 32-të; profili i sigurisë ishte në përputhje me profilin e njohur të trajtimit.
"Pacientët që morën pjesë në studim, tha Chapman-i (profesor i mjekësisë në Universitetin e Torontos dhe një nga studiuesit e studimit Osmo), paraqitën simptoma të rënda të astmës çdo ditë dhe shpesh, gjatë përkeqësimeve, iu desh të vinin në urgjencë.
Ashtu si shumë pacientë të tjerë të ngjashëm, ata paraqisnin karakteristika si të eozinofilisë, ashtu edhe të alergjisë, që u jepnin mundësi të ndiqnin trajtimin me të dyja barnat, me omalizumab dhe mepolizumab. Studimi Osmo na tregon se kur këta pacientë nuk kontrollohen me omalizumab dhe "kalojnë" te mepolizumabi, ata raportojnë përmirësime të dukshme (më pak simptoma, funksion më të mirë të frymëmarrjes, përmirësim të cilësisë së jetës në lidhje me sëmundjen dhe më pak përkeqësime). Ky studim paraqet një hap të vlefshëm përpara në njohuritë tona sa i përket menaxhimit të pacientëve nëpërmjet terapive biologjike", përfundon ai.