mar302018
Guidë udhëzuese për farmacistin: Cilat shtesa ushqimore t'u këshilloni klientëve?
Së bashku me mjekun, megjithëse në role të ndryshme, farmacisti është një pikë referimi për konsumatorët e shtesave ushqimore, pasi sipas statistikave, 37% e shtesave rekomandohen në farmaci dhe 38%, nga mjeku. Në një sondazh të kryer në vitin 2016, 26.4% e farmacistëve të intervistuar kishin mungesë informacioni në përzgjedhjen e produktit të duhur për klientët e tyre, efektet e mundshme anësore ose ndërveprimet me produkte të tjera. Ky shkrim përmban informacione të plota, për të ofruar rolin tuaj mbështetës në zgjedhje, ose një rol edhe më aktiv, duke dhënë këshillë prej eksperti...
Zona kardio-metabolike
Në parandalimin primar ekziston mundësia për zvogëlimin e riskut kardiovaskular ose mbajtjen e tij në një nivel të favorshëm, duke ndërhyrë në faktorë të modifikueshëm përmes një stili të shëndetshëm jetese. Mes përbërësve aktivë që kanë një veprim specifik në fushën e mirëqenies kardiometabolike, janë orizi i kuq i fermentuar, berberina, fitosterolet, acidet yndyrore (polyunsaturated), beta glukanet dhe angjinarja. Një efekt pozitiv në fushën e mirëqenies kardiometabolike është i lidhur, sipas literaturës shkencore, edhe me probiotikët dhe ekstraktin e bergamotit.
Zona muskulo-skeletale
Faktorët më të rëndësishëm të rrezikut janë faktorët jo të modifikueshëm, të lidhur, për shembull, me moshën, trashëgiminë, frakturat e mëparshme. Midis atyre që mund të modifikohen janë duhani, alkooli, aktiviteti fizik i reduktuar. Ushqyerja e duhur megjithatë, është një nga metodat më të rëndësishme parandaluese për osteopeninë. Përveç kalciumit dhe vitaminës D, marrja si duhet e elementeve të tjera minerale (fosfor, magnez, kalium, bakër, zink) dhe vitaminave (vitamina C, vitamina K), përmirëson shëndetin e kockave.
Shëndeti mendor dhe plakja
Sasia e duhur e ushqyesve të përshtatshëm është në gjendje të nxitë aktivitetin e trurit. Modelet dietike mesdhetare dhe përbërjet antioksiduese që përmbajnë disa prej antioksiduesve, si për shembull: polifenole, vitamina C, E, B12, folate dhe karotenoide, luftojnë efektet dëmtuese të stresit oksidativ në plakjen e trurit dhe, rrjedhimisht, pakësojnë rrezikun e sëmundjeve neurodegjenerative.
Zona uro-gjinekologjike
Në këtë fushë, koncepti i parandalimit parësor që lidhet me zakonet e sjelljes, higjienës dhe ushqimit është domosdoshmërisht i lidhur me konceptin e parandalimit të kronicitetit dhe të recidivizimit. Përdorimi i shtesave ushqimore me këtë qëllim, ka patur një përhapje të gjerë. Përveç substancave të ndryshme që gjenden në listën e substancave bimore dhe produkteve bimore të pranuara për efektin fiziologjik të lidhur me shëndetin gjenito-urinar, është e rëndësishme t'iu referohemi probiotikëve efektivë mbi biofilmat patogjenë dhe në fshikëz, si për shembull zinkut, që luan një rol të rëndësishëm në fertilitet dhe në riprodhimin normal.
Zona gastro-intestinale
Në të gjitha rastet e disbiozës, plotësimi me shtesat që përmbajnë probiotikë, ndihmon në rivendosjen e ekuilibrit të mikroflorës së zorrëve. Vitamina E, si një antioksidues i fuqishëm, ndihmon në mbrojtjen e qelizave nga stresi oksidues. Fitoterapikët: zogla (Rhamnus frangula) dhe sena janë tashmë substanca natyrore të njohura për funksionin e rregullimit të lëvizshmërisë së zorrëve. Së fundmi, laktuloza është një sheqer i përdorur tradicionalisht për të zgjidhur problemet e kapsllëkut dhe ka marrë mbështetjen pozitive të EFSA-s si "ndihmëse në përshpejtimin e lëvizshmërisë intestinale".