pri262018
Novartis investon 100 milionë dollarë për barna kundër malaries
Ndërmarrja shumëkombëshe farmaceutike Novartis ka bërë të ditur se në pesë vitet e ardhshme, do të investojë 100 milionë dollarë (80 milionë euro) për kërkimin e kurave të reja kundër malaries. Vendimi është bërë i ditur gjatë edicionit të shtatë të "Shtetet afrikane" mbi këtë temë, në Dakar.
Samiti, i organizuar nga Iniciativa Shumëpalëshe për Malarien (MIM), synon ta çrrënjosë këtë virus që, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), vazhdon të vrasë çdo vit më shumë se 400 mijë njerëz në mbarë botën dhe veçanërisht, në Afrikë. Novartisi ka thënë se do të aplikojë gjithashtu një çmim tavan mbi koston e barnave për parandalimin dhe trajtimin e malaries, një sëmundje që është potencialisht vdekjeprurëse për njerëzit dhe për të cilën, ende nuk ofrohet një vaksinë. Qëllimi është çrrënjosja e sëmundjes deri në vitin 2030.
Novartisi do të ndihmojë në zgjerimin e mëtejshëm të aksesit në barnat pediatrike kundër malaries dhe në nxitjen e programeve për forcimin e sistemeve shëndetësore në 4 vende subsahariane.
"Rezistenca ndaj trajtimit është kërcënimi më i madh për progresin e jashtëzakonshëm të bërë në luftën kundër malaries gjatë 20 viteve të fundit. Nuk ia lejojmë vetes të qëndrojmë indiferentë; kjo është arsyeja pse po angazhohemi për të promovuar kërkimin dhe zhvillimin e trajtimeve të gjeneratës së re", ka deklaruar Vas Narasimhani, drejtor ekzekutiv i Novartisit.
"Në të njëjtën kohë, ne duhet të punojmë për të siguruar që risia jonë të arrijë tek ata që kanë nevojë më së shumti, edhe në vendet më të largëta".
Ky angazhim i ri bëhet i ditur njëkohësisht me publikimin e rezultateve të një studimi të ri (Malaria Futures for Africa, MalaFA) në 14 vende të Afrikës subsahariane. Në total, 68 ekspertë afrikanë, përfaqësuese të institucioneve, të komitetit shkencor dhe të OJQ-ve, kanë bërë të ditur këndvështrimin e tyre në lidhje me përparimet dhe sfidat që kanë të bëjnë me objektivat e eliminimit botëror të malaries, brenda vitit 2030. Në nivel botëror, vdekshmëria për shkak të malaries ka rënë më shumë se 60% në periudhën 2000-2015. Gjithsesi, ekspertët e intervistuar tremben se përparimet mund të ndalen nëse qeveritë nuk vënë në dispozicion më shumë financime dhe organizatat ndërkombëtare nuk fokusohen me efikasitet më të madh.
Studimi MalaFA është komisionuar nga Novartisi dhe është bashkëdrejtuar nga ambasadori Richard Kamwi, Elimination 8 (E8), dhe nga profesor Bob Snow (programi KEMRI-Wellcome Trust, Kenia dhe Universiteti i Oksfordit. Ndër konsulentët e kërkimit janë edhe Roll Back Malaria, Malaria No More UK e African Leaders Malaria Alliance.
Raporti MalaFA, mund të shkarkohet në adresën: http://bit.ly/MalaFA-report