tet132021
Një kthesë historike për malarien. OBSH-ja shpall vaksinën e parë kundër sëmundjes
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka rekomanduar përdorimin masiv të vaksinës së parë kundër malaries për fëmijët, e cila mund të përdoret veçanërisht në Afrikën nën-sahariane dhe zona të tjera në rrezik. "Ky është një moment historik. Vaksina e shumëpritur e malaries për fëmijët është një përparim për shkencën, shëndetin e fëmijëve dhe luftën kundër malaries", tha Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus.
Rezultati erdhi pas një dekade eksperimentimesh klinike në shtatë vende afrikane. Sipas OBSH-së, vaksina e malaries RTS, S/AS01, e prodhuar nga kompania shumëkombëshe farmaceutike britanike GlaxoSmithKline, pritet të shpërndahet në të gjithë Afrikën nën-sahariane, pas suksesit të programeve të imunizimit pilot në Gana, Kenia dhe Malavi. Për Tedrosin, ky serum "mund të shpëtojë dhjetëra mijëra jetë të reja çdo vit", duke marrë parasysh se me malarie regjistrohen rreth 230 milionë raste dhe 400,000 vdekje në vit dhe se në vitin 2019, vdiqën më shumë se 260 mijë fëmijë vetëm në Afrikë. Studimi i vitit 2015 kishte treguar se vaksina mund të parandalojë rreth katër nga dhjetë raste të malaries, tre nga dhjetë raste të rënda dhe të çojë në reduktimin e një të tretës së numrit të fëmijëve që kanë nevojë për transfuzion gjaku. Sidoqoftë, kishte dyshime mbi faktin nëse vaksina do të funksiononte sepse për të qenë efektive, kërkohen katër doza: tre të parat administrohen në distanca njëmujore në moshën 5, 6 dhe shtatë muajshe, me një përforcues përfundimtar rreth 18 muajsh. Rezultatet e projekteve pilot u diskutuan nga dy grupe ekspertësh në OBSH, pas administrimit të më shumë se 2.3 milionë dozave dhe treguan se vaksina është e sigurt dhe ende çon në një rënie prej 30% të malaries së rëndë. Përveç kësaj, ajo ka arritur në më shumë se dy të tretat e fëmijëve që nuk kanë një rrjet mushkonjash nën të cilin të flenë dhe nuk ka pasur ndonjë ndikim negativ në vaksinat e tjera rutinë ose te masat e tjera për parandalimin e malaries.
Vaksina në fjalë do të jepet në tre doza midis 5 dhe 17 muajsh dhe një dozë të katërt afërsisht 18 muaj më vonë. Pas provave klinike, vaksina u testua në tre vende: Kenia, Malavi dhe Gana. Këtu janë administruar më shumë se 2.3 milionë doza, duke arritur në më shumë se 800,000 fëmijë. Sipas OBSH-së, sëmundjet e transmetuara nga vektorët, siç janë mushkonjat, përbëjnë 17% të të gjitha sëmundjeve infektive, duke shkaktuar mbi 700,000 vdekje në vit.
Një vaksinë tjetër është në zhvillim e sipër. Ajo konsiston në vaksinimin direkt të parazitit te njerëzit dhe, menjëherë më pas, dhënien e terapisë antimalarike. Ajo ka dhënë rezultate të mira në një eksperiment të vogël klinik, ku u përfshinë gjithsej 56 vetë, raportuar në revistën Nature. Tani, megjithatë, do të na duhet të presim rezultatet e një studimi më të madh klinik që po zhvillohet aktualisht në Mali, përfundojnë ekspertët.