sht72021
Malaria. Ekziston mundësia për një mënyrë të re trajtimi. Ja, çfarë parashikon
Një mënyrë e re trajtimi, e cila përdor antimalarikë të kombinuar me një vaksinim përforcues vjetor, ka ulur me 70% numrin e rasteve të rënda të malaries te fëmijët. Kjo u raportua në një studim të botuar në New England journal of Medicine (NEJM). Sipas OBSH-së, këto rezultate mund të jenë një pikë kthese në luftën kundër malaries. Kjo mënyrë e re trajtimi konsiston në kombinimin, pas një vaksinimi të plotë, të një doze përforcuese para sezonit të shirave, me barna parandaluese.
Sipas Brian Greenwood-it, nga Shkolla e Higjienës dhe Mjekësisë Tropikale në Londër dhe autori kryesor i studimit, vaksina RTS, S (vaksina më e përhapur e malaries) jep mbrojtje të kufizuar me kalimin e kohës, duke arritur efektivitetin 30% brenda një periudhe prej tre ose katër vjetësh. Ekipi i studiuesve donte të testonte përfitimin e një përforcuesi të vaksinës çdo vit pas një serie prej tre dozash fillestare. Përforcuesi jepet para sezonit të shirave, kur popullsia e mushkonjave vektore të sëmundjes është në kulmin e saj. Provat klinike ndoqën më shumë se 6.800 fëmijë të moshës 5 deri në 17 muaj, në Burkina Faso dhe Mali, për tre vjet. Ata u ndanë në tre grupe: ata që morën vetëm barna antimalarike (sulfadoksinë-pirimethaminë dhe amodiaquine), ata që morën vetëm vaksinën dhe ata që i morën të dyja, duke përdorur mënyrën e re të trajtimit. Kombinimi i barnave përforcuese dhe antimalarike ishte më efektivi: zvogëloi numrin e rasteve me 63%, shtrimet në spital me 71% dhe numrin e vdekjeve me 73%, krahasuar vetëm me trajtimet parandaluese. Studiuesit janë në kontakt me OBSH-në për përditësimet dhe rekomandimet e ardhshme mbi projektin.
https://www.nejm.org/doi/full/10.1056/NEJMoa2026330?query=featured_home
Cristoforo Zervos