qer62018
Bayer-i blen Monsanton dhe i fshin emrin. Lind gjiganti i ri në fushën e farërave dhe fertilizuesve
Përfundon me 7 qershor blerja nga ana e Bayer-it e kompanisë Monsanto, blerje kjo që do të zhdukë edhe emrin e kësaj të fundit. Ka qenë vetë kompania shumëkombëshe gjermane, ajo që ka bërë njoftimin.
"Blerja e Monsantos përfaqëson një gur themeli strategjik për të përforcuar portofolin tonë të ndërmarrjeve lidere në fushën e shëndetësisë dhe të ushqyerjes. Do të dyfishojmë përmasat e aktivitetit tonë bujqësor dhe do të krijojmë një motor novacioni lider në bujqësi, duke iu shërbyer më mirë klientëve tanë dhe duke zhbllokuar potencialin e rritjes afatgjatë në sektor", ka thënë Werner Baumann, president i Bayer-it.
Operacioni i njoftuar në maj 2016 me 128 dollarë për aksion, ka aktualisht një kosto të përgjithshme prej 63 miliardë dollarësh, përfshi debitin e Monsantos. Ditët e fundit, pas Europës, edhe SHBA-ja i ka hapur dritën jeshile bashkimit. Departamenti i Drejtësisë në Uashington ka detajuar kushtet e reja, përveç atyre të vendosura tashmë nga Brukseli: disa aktivitete që kanë lidhje me farërat dhe disa linja produktesh i janë shitur BASF-it për 7 miliardë dhe duhet vazhduar më tej edhe me ridimensionimin e biznesit të agrikulturës dixhitale.