qer122018
Barna të vjetra, indikacione të reja. Ja, cilat janë sot trajtimet e vlefshme, me kosto më të ulët.
Jemi në vitin 2018 e megjithatë, trajtimi i shumë sëmundjeve mbështetet ende në barnat e zbuluara disa dekada më parë. Dhe, megjithëse shpesh vëmendja përqendrohet në barnat më të reja dhe më të shtrenjta, disa nga barnat "e moshuara", futen sot në një rrugë të re, falë zbulimit të indikacioneve të ndryshme nga ai fillestar, siç ka edhe nga ato që dalëngadalë, po u hapin rrugën të tjerave. Për shembull...
Që nga viti 1945, isoniazidi është i njohur për aktivitetin e tij kundër tuberkulozit dhe, pavarësisht rezistencës në rritje, ai mbetet ende përbërës i regjimeve të terapisë standarde për këtë sëmundje. Si të mos përmendim këtu penicilinën? Ajo vazhdon të rekomandohet e para kundër faringitit beta-hemolitik të grupit A, nga streptokoku.
Sulfonamidet janë efektive kundër shumë baktereve grampozitive dhe negative, por ngjarjet negative, alergjitë dhe futja e antibiotikëve të rinj kanë reduktuar dobinë e tyre. Tetraciklinat kanë qenë në përdorim që nga viti 1955 dhe vazhdojnë të përshkruhen, pavarësisht nga zhvillimi i rezistencës. Kohët e fundit, megjithatë, janë theksuar vetitë e tyre antiinflamatore dhe mbrojtja e mundshme që mund të ofrojnë kundër sëmundjes së Alzheimerit, infarktit dhe sëmundjeve neuromuskulare.
Një nga barnat "e moshuara" më të njohura është aspirina, e cila është futur në treg që nga viti 1899, si një qetësues për dhimbjet. Tani, e zëvendësuar pjesërisht sa i përket funksionit të saj antidolorifik, ajo përdoret kryesisht për cilësitë e saj antitrombotike në sëmundjet kardiovaskulare dhe mendohet se mund të ofrojë mbrojtje kundër kancerit kolorektal. Gjithmonë në fushën kardiovaskulare, digoksina vazhdon të përdoret gjerësisht, ndonëse të dhënat e fundit, që vënë në dyshim sigurinë, po shkaktojnë reduktimin e përshkrimit të saj.
Nitroglicerina, përkundrazi, ka mbetur agjenti kryesor farmakologjik për anginën dhe mund të përdoret edhe në rastet e hepikondilitit lateral dhe në neuropatinë diabetike. Duke kaluar te diuretikët, spironolaktoni vazhdon të rekomandohet për trajtimin e pacientëve me insuficencë kardiake me fraksion të ruajtur të rrjedhjes, falë kostos shumë të ulët.
Diuretikët tiazidikë, nga ana tjetër, mbeten një nga bazat e terapisë fillestare kundër hipertensionit. Një bar shumë i përhapur dhe me disa vite karrierë në shpatulla është warfarin-a, nganjëherë më i parapëlqyeri ndër antikoagulantët oralë, falë kohës së gjatë të veprimit, kostos së ulët dhe mundësisë për të monitoruar aderimin e pacientit.
Kortikosteroidet janë gjithashtu thelbësore për shumë sëmundje akute dhe kronike. Në terapinë e diabetit, insulina është rritur me shumë formulime të reja, ndërkohë që metformina, si agjent i vetëm apo e kombinuar, përdoret gjithnjë për të evituar përparimin e paradiabetit në diabet.
Një bar më pak i njohur, por jo më pak i vlefshëm është propiltiuracili, i cili, që nga viti 1947, është një agjent kyç për pacientët me sëmundjen e graves me hipertiroidizëm.
Sa iu përket barnave kundër dhimbjeve, rëndom më i përdoruri mbetet paracetamoli, ndonëse shkakton një numër mjaft të lartë të shtrimeve në spital, për shkak të mbidozimit. Morfina është ende e pazëvendësueshme në disa raste, pavarësisht se mund të shkaktojë varësi. Në këtë pikë, nuk mund të mos përmendim naloxone-n, e cila që nga miratimi i saj në vitin 1971, ka shpëtuar jetë të panumërta.
Allopurinoli-t dhe colchicine-s, që janë përdorur historikisht për përdhesin, tani po u kushtohet vëmendje për veprimin e tyre kardioprotektiv. Ergotamine, nga ana tjetër po kalon në plan të dytë, krahasuar me triptanet, për trajtimin e migrenës. Së fundmi, pavarësisht toksicitetit të tij, litiumi vazhdon të jetë agjenti më efektiv për parandalimin e përsëritjes, në çrregullimin bipolar.
Medscape
https://www.medscape.com/slideshoë/old-drugs-6009394