qer192018
Diabeti. Insulina e re me veprim të shpejtë, shfaq avantazhe befasuese
Pavarësisht se udhëzimet kryesore ndërkombëtare rekomandojnë kontrollin 1 dhe 2 orë pas fillimit të ngrënies, njerëzit që vuajnë nga diabeti, e matin gliceminë pas ngrënies mesatarisht, vetëm 2 herë në muaj. Kjo e dhënë, që del nga një analizë e kryer mbi të dhënat e Shoqatës së Mjekëve Diabetologë, është ilustruar gjatë prezantimit të insulinës së re aspart fast-acting (Fiasp, Novo Nordisk).
Kjo e dhënë është plotësisht e pamjaftueshme, siç ka nënvizuar Antonio Nicolucci, drejtor i Coresearch (Qendra e Kërkimit dhe Epidemiologjisë Klinike), "aq më tepër që dy të tretat e njerëzve me diabet paraqesin vlera të glicemisë pas ngrënies më të larta se 140 mg/dl, vlerë kjo që, sipas udhëzimeve, është normale". Njerëzit me glicemi pas ngrënies më të lartë, "kanë një rrezik më të madh për të zhvilluar komplikacione të diabetit, në veçanti komplikacione kardiovaskulare, siç është infarkti dhe iktusi", ka nënvizuar Edoardo Mannucci, diabetolog, profesor në Departamentin e shkencave biomjekësore eksperimentale e klinike në Universitetin e Firences.
"Këtë e tregojnë studimet që kanë bërë historinë e diabetologjisë, siç është DECODE ose Diabetes Intervention Study, ose së fundi, Luigi Gonzaga Diabetes Study, që ka evidentuar se si shtimi i glicemisë pas ngrënies lidhet me një shtim të rrezikut kardiovaskular në mënyrë më të dukshme, krahasuar me rritjen e glicemisë esëll, në një popullsi të ndjekur për 14 vjet", ka shtuar Mannucci. Jo vetëm kaq. Në një studim të publikuar së fundi në "Diabetes Therapy" del se te disa njerëz me diabet, hiperglicemia pas ngrënies mund të ketë pasoja negative në nivelin fizik e emocional dhe mund të ndikojë në jetën e përditshme, përfshi punën dhe marrëdhëniet shoqërore. Për shembull, është llogaritur se, pas një episodi hiperglicemie pas ngrënies, 71% e njerëzve me diabet raportojnë një rënie në produktivitet dhe 54% thonë se kanë vështirësi për t'u përqendruar në punë.
Për të luftuar këtë fenomen, me kalimin e kohës, janë zhvilluar formulime gjithnjë e më të sofistikuara të insulinës: nga analogët e insulinës njerëzore, në vitet 1990, deri tek insulinat e shpejta. Tani është radha e insulinës aspart që vepron shpejt, e plotësuar me vitaminë B3, e cila e bën absorbimin fillestar më të shpejtë dhe me aminoacidin L-arginine, që stabilizon formulimin e saj.
"Kjo insulinë i përafrohet më së shumti përgjigjes natyrale të një njeriu të shëndetshëm, duke siguruar një cikël më të shpejtë (4 minuta në vend të 9 minutave) të insulinës aspart me veprim të shpejtë, një nga më të përshkruarat në botë", thekson Concetta Irace, profesor i asociuar në Departamentin e Shkencave Shëndetësore të Universitetit Magna Grecia në Katanzaro. "Në saje të karakteristikave të saj, është më elastike sa i përket kohës së administrimit (nga 2 minuta para marrjes së ushqimit deri në 20 minuta më vonë).
Përveç kësaj, ajo ka qenë më efektive sesa insulina aspart në reduktimin e glukozës pas ushqimit, ndërkohë që në disa raste, edhe të niveleve të hemoglobinës glikate, pa rritur rrezikun e episodeve të rrezikshme të hipoglicemisë", ka përfunduar ai. Insulina aspart me veprim të shpejtë është në dispozicion për të rriturit me diabet, në një solucion për injeksion nën lëkurë, në dy madhësi: 100 njësi/ml në shiringë të parambushur ose në flakon.