kor312018
Omega-3. Një rishikim vë në diskutim dobitë e tij në sëmundjet kardiovaskulare
Shtimi i omega-3, nuk duket se redukton rrezikun për sëmundje kardiake, iktus apo vdekshmërinë. Kjo është deklarata e Cochrane-s, që është konsultuar me studimet në të gjitha gjuhët, të raportuara në bazën e të dhënave Central, Medline e Embase (përditësuar në prill 2017) dhe më tej me regjistrat e ClinicalTrials.gov e International Clinical Trials Registry (përditësuar në shtator të vitit 2016): "Në total, kemi shqyrtuar 79 studime me përzgjedhje rastësore dhe të kontrolluara, ku janë përfshirë më shumë se 110.000 pjesëmarrës me apo pa sëmundje kardiovaskulare. Pjesëmarrësit janë përzgjedhur në mënyrë rastësore për integrimin e omega-3, apo një këshillë nga mjeku për të shtuar acidet yndyrore të pangopura omega-3 në zinxhir të gjatë, acidin alfa linoleik (ALA), për t'i marrë në mënyrë të zakonshme ose të reduktuar për të paktën një vit", shpjegon Asmaa Abdelhamid (Universiteti i Noruiçit, Angli), që ka udhëhequr grupin e punës.
Kështu, kërkuesit kanë zbuluar se shtimi i omega-3 në zinxhir të gjatë, ofron pak ose asnjë përfitim, duke parë pjesën më të madhe të rezultateve. Është vëzhguar në fakt se yndyrat omega-3 me zinxhir të gjatë kanë patur një efekt më të vogël ose aspak efekt në rrezikun e vdekjes për çfarëdolloj shkaku (8,8% tek ata që kishin shtuar marrjen, krahasuar me 9% në grupet e kontrollit). Është zbuluar edhe se marrja e më shumë yndyrave omega-3 në zinxhir të gjatë (mes të cilëve EPA e DHA) me shumë mundësi sjell pak ose aspak ndryshim sa i përket rrezikut të eventeve kardiovaskulare, vdekjeve kardiake koronarike, eventeve të koronaropatisë, iktusit apo çrregullimeve kardiake. Yndyrat omega-3 me zinxhir të gjatë mund të kanë reduktuar trigliceridet dhe kolesterolin HDL në gjak, por duhet nënvizuar se, ndonëse reduktimi i triglicerideve mund të jetë mbrojtës ndaj sëmundjeve kardiake, ai i kolesterolit HDL ka efekt të kundërt.
Shqyrtimi sistematik sugjeron se integrimi i më shumë ALA-ve nëpërmjet ushqimit apo integratorëve mund të ketë një efekt më të vogël apo asnjë efekt mbi vdekshmërinë për shkaqe kardiovaskulare. Megjithatë, marrja e më shumë ALA-ve, mund të reduktojë rrezikun për çrregullime kardiake nga 3,3 në 2,6%. Shtimi i omega-3 në zinxhir të gjatë ose i ALA-ve, mund të mos ndikojë në peshë apo në yndyrën trupore. "Sipas të dhënave që kanë dalë nga ky rishikim, do të ishte mirë të rishikoheshin rekomandimet zyrtare që mbështesin marrjen e acideve yndyrore shtesë", përfundojnë autorët.
Shoqata Italiane e Industrive të Produkteve Ushqimore, replikon: "Bëhet fjalë për një rishikim të të dhënave të publikuara, që nuk përfshin asnjë studim të fundit dhe që përdor një model analizash për të cilin nuk mungojnë kritikat".
"Kjo kryesisht iu referohet subjekteve që tashmë janë bartëse të sëmundjeve të mëhershme kardiovaskulare (të cilat tani në të gjitha vendet e industrializuara janë subjekt i ndërhyrjeve të shumta farmakologjike, gjë që e bën të vështirë identifikimin e efektit të secilit përbërës aktiv të përdorur, siç është omega-3). Përfundimet e nxjerra janë pra të një rëndësie të kufizuar për njerëzit e shëndetshëm, të cilëve u intereson reduktimi i rrezikut të sëmundjes".
Sipas shoqatës së prodhuesve, bëhet fjalë për konkluzione të parakohshme: "Për të marrë informacione të reja mbi këtë temë, është e nevojshme të presim rezultatet e studimeve të kontrolluara të mëdha që po zhvillohen aktualisht".
Cochrane Database Syst Rev. 2018. doi: 10.1002/14651858.CD003177.pub3
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/30019766