pri202021
Parandalimi kardiovaskular. Gjenetika ndikon në efektin e omega-3. Ja, se si
Sipas një studimi të botuar në "PLOS Genetics", marrja e acideve yndyrore omega-3 nëpërmjet vajit të peshkut ofron përfitime për shëndetin kardiovaskular vetëm nëse keni gjenotipin e duhur. "E kemi ditur prej dekadash që një nivel më i lartë i acideve yndyrore omega-3 në gjak lidhet me rrezik më të ulët për sëmundje të zemrës, por autorët kanë dalë në përfundimin se marrja e vajit të peshkut nuk është e mirë për të gjithë. Nëse keni një sfond specifik gjenetik, plotësimi do të ndihmojë në pakësimin e triglicerideve, por nëse jo, trigliceridet do të rriten", shpjegon Kaixiong Ye, nga Universiteti i Xhorxhias, i cili drejtoi grupin e punës.
Studiuesit ekzaminuan lipoproteinat me dendësi të lartë, lipoproteinat me dendësi të ulët, kolesterolin total dhe trigliceridet në 70,000 individë të regjistruar në Biobankën e Britanisë së Madhe, të ndarë në dy grupe bazuar në faktin nëse po merrnin apo jo integratorë vaji peshku. Pastaj, ata kryen një analizë të të gjithë gjenomës për secilin grup, duke testuar 8 milionë variante gjenetike. Pas ekzekutimit të mbi 64 milionë testeve, rezultatet e tyre zbuluan një variant të rëndësishëm gjenetik të gjenit GJB2, me tre gjenotipe, AG, AA dhe GG. Individët me gjenotip AG që morën vaj peshku panë që trigliceridet u zvogëloheshin, por ata me gjenotip AA kishin një shtim të lehtë të triglicerideve. Gjenotipi GG ishte i pranishëm në shumë pak njerëz, për të nxjerrë përfundime në lidhje me efektin e tij. Rezultatet e studimit mund të hedhin dritë mbi studimet e mëparshme, shumica e të cilave zbuluan se vaji i peshkut nuk ofron ndonjë përfitim në parandalimin e sëmundjeve kardiovaskulare.
"Një shpjegim i mundshëm është se ato studime klinike nuk morën parasysh gjenotipet e pjesëmarrësve. Disa pjesëmarrës mund të përfitojnë dhe të tjerët jo, kështu që nëse përzihen së bashku dhe bëhet analiza, nuk vërehet ndikimi", thotë Ye. Tani që është identifikuar një gjen specifik që mund të modifikojë përgjigjen e një individi ndaj integrimit të vajit të peshkut, hapi tjetër do të jetë testimi i drejtpërdrejtë i efekteve të vajit të peshkut në sëmundjet kardiovaskulare. "Përshtatja dhe optimizimi i rekomandimeve mbi integrimin e vajit të peshkut bazuar në përbërjen unike gjenetike të një personi, mund të përmirësojë kuptimin tonë të të ushqyerit dhe të çojë në përmirësime të konsiderueshme të shëndetit dhe mirëqenies së njeriut", përfundojnë autorët.
PLOS Genetics 2021. Doi: 10.1371/journal.pgen.1009431
https://doi.org/10.1371/journal.pgen.1009431