Farmaci

sht62018

Lorcaserina. Efikase për rënien në peshë, pa shtuar rrezikun kardiovaskular

Sipas rezultateve të studimit CAMELLIA-TIMI 61, që janë paraqitur në takimin 2018 të Shoqatës Europiane të Kardiologjisë dhe të publikuara në "New England Journal of Medicine", lorcaserina ka qenë efikase në humbjen në peshë, pa shtuar rrezikun për shfaqje të infarktit, iktusit dhe vdekjes për shkak të sëmundjeve kardiake, në një popullsi njerëzish obezë dhe në mbipeshë.

"Studimi ka treguar për të parën herë, në mënyrë rigoroze se ky bar i ndihmon njerëzit për të rënë në peshë, pa shtuar ngjarjet e kundërta kardiovaskulare në një popullsi me rrezik të lartë për atak kardiak dhe iktus", konfirmon Erin Bohula, nga grupi i studimit "Tromboliza në Infarktin e Miokardit" (TIMI) (Spitali i Grave në Boston), autore kryesore e studimit. Kërkuesit kanë përzgjedhur në mënyrë rastësore 12.000 pacientë në mbipeshë ose obezë, të rrezikuar për ngjarje kardiovaskulare, për të marrë lorcaserinë ose placebo dhe i kanë ndjekur për një periudhë mesatare prej më shumë se tre vjetësh.

Kështu, kërkuesit nuk kanë zbuluar asnjë dallim statistikisht domethënës në përqindjen e pacientëve që kanë pësuar një event kardiovaskular të kundërt të madh mes grupit që ka marrë lorcaserinë (6,1%) dhe në atë që ka marrë placebo (6,2%) në përfundim të studimit. Lorcaserina, së bashku me këshillimin për rregullim të stilit të jetës, i ka ndihmuar pacientët për të rënë në peshë mesatarisht 4,2 kg, krahasuar me 1,4 kg për pacientët e grupit placebo në një vit.

Gjithnjë pas një viti, përqindja e pacientëve që kishin humbur të paktën 5% të peshës së tyre, ka rezultuar dukshëm më e madhe në grupin e lorcaserinës (39% krahasuar me 17% në grupin placebo). Tendencat kanë qenë analoge edhe për pacientët që kishin humbur të paktën 10% të peshës së tyre trupore (15% në grupin e lorcaserinës, krahasuar me 5% në grupin placebo).

Janë referuar edhe përmirësime të vogla në faktorë të ndryshëm përgjithësisht të lidhur me sëmundje kardiovaskulare, mes të cilave nivelet e triglicerideve, glicemia, frekuenca kardiake dhe tensioni i gjakut. Efektet e padëshiruara më të zakonshme dhe që kanë sjellë ndalimin e barit kanë qenë marramendja, lodhja, dhimbja e kokës, të vjellat dhe diarreja.

Julie Ingelfinger e Clifford Rosen (Universiteti Tufts në Boston), në një shkrim shoqërues, e kanë ulur pak entuziazmin, duke konfirmuar se dobia e lorcaserinës te pacientët obezë dhe në mbipeshë është ende për t'u riparë. "Përsa i përket efikasitetit, liraglutide mund të japë një rënie të njëjtë në peshë, ndërkohë që ofron një rrezik më të ulët për diabet", thonë ata.

 

N Engl J Med. 2018. doi: 10.1056/NEJMoa1808721
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/30145941


N Engl J Med. 2018. doi: 10.1056/NEJMe1810855
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/30145932


Download Center

separa
Principi e Pratica Clinica
Lista e barnave të rimbursueshme 2015
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
VENDIME TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
shkoni në download >>
separa

OTC