sht172018
Gripi. Antivirali i ri është efikas edhe me një dozë të vetme
Sipas dy studimeve të zhvilluara nga i njëjti grup pune dhe të publikuara në "New England Journal of Medicine", bari i ri oral eksperimental baloxavir marboxil është në gjendje të lehtësojë simptomat e gripit dhe të reduktojë ngarkesën virale pas një doze të vetme. "Baloxavir marboxili është një frenues përzgjedhës i endonukleazës nga gripi. Ai ka treguar aktivitet terapeutik në modele preklinike të infeksioneve nga virusi i gripit A e B, përfshi cepet rezistente ndaj agjentëve aktualë antiviralë", thotë Frederick Hayden (Universiteti i Virxhinias), autor kryesor i eksperimenteve. Në punën e parë, një studim i fazës 2, mbi të rriturit e grupmoshës 20-64 vjeç me grip akut, koha mesatare e nevojshme për lehtësimin e simptomave ishte më e shkurtër (rreth 50-54 orë) me një dozë të vetme të baloxavir marboxilit, krahasuar me placebon (78 orë).
Në studimin e dytë, të fazës 3, pacientët me moshë 20-64 vjeç me sëmundje të ngjashme me gripin, u përzgjodhën në mënyrë rastësore për të marrë një dozë të vetme të baloxavir marboxilit, ose të oseltamivirit (75 mg dy herë në ditë për 5 ditë) ose placebo. Edhe një grup adoleshentësh është përzgjedhur në mënyrë rastësore për të marrë baloxavir marboxil ose placebo. Mes pacientëve me grip të konfirmuar, koha mesatare e nevojshme për lehtësimin e simptomave ka rezultuar më e ulët me baloxavir marboxilin, krahasuar me placebon (54 orë, përkundër 80 orëve) dhe e njëjtë për baloxavir marboxilin e oseltamivirin. Ngarkesa infektive virale është pakësuar më shpejt me baloxavir marboxilin, krahasuar me oseltamivirin ose placebon.
Gjatë studimit, është vënë re zhvillimi i një ndjeshmërie të reduktuar me baloxavir marboxilin në një përqindje jo më të lartë se 10%, te pacientët e trajtuar. Nuk janë verifikuar vdekje dhe është vënë re një shtrim i vetëm në spital, që është verifikuar se bënte pjesë në grupin e trajtuar me oseltamivir.
"Këto rezultate duhet të shihen si një hap i parë, por do të jenë të nevojshme të dhëna të tjera efikasiteti, veçanërisht në popullsinë me rrezik të lartë", shkruan në një editorial shoqërues, Timothy Uyeki (Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, në Atlanta).
N Engl J Med. 2018. doi: 10.1056/NEJMoa1716197
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/30184455
N Engl J Med. 2018. doi: 10.1056/NEJMe1810815
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/30184452