tet192018
Task-Forca për barnat.
79 farmacive iu rishikohen licencat
Ndonëse kontrolli ndaj farmacive do të vazhdojë deri në mesin e nëntorit, deri më tani, 79 farmaci i janë dërguar Urdhrit të Farmacive për t'u rishikuar licencën, pasi janë kapur në shkelje gjatë tregtimit të barnave. Ministria e Shëndetësisë thotë se kjo Task-Forcë ka kontrolluar deri tani 158 farmaci. Disa ndër shkeljet më të shumta që janë hasur nga kontrollet e ngritura, lidhen me tregtimin e barnave pa recetën e mjekut.
• 32 subjekte "Tregtimi i barnave pa recetën e mjekut"
• 26 subjekte "Mungesa e recetave të ekzekutuara sipas klasifikimit"
• 14 subjekte "Farmacia tregton barna pa pullën e kontrollit të lëshuar nga AKBPM-ja"
• 7 subjekte "Mosrespektimi i kushteve të ruajtjes dhe tregtimit me pakicë të barnave"
Task-Forca për kontrollin e barnave, është e përbërë nga përfaqësues të disa institucioneve, që do të ushtrojnë kontrolle në çdo subjekt farmaceutik.
Kontrollet po vazhdojnë në të gjitha subjektet farmaceutike në vend, për t'i detyruar ato që të respektojnë ligjin në lidhje me tregtimin e barnave dhe ruajtjen e tyre, me qëllim garantimin e sigurisë së qytetarëve, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Shëndetësisë, e cila bëri publike rezultatet e deritanishme të Task-Forcës.
Alma Demiraj