tet302018
Kanabisi mund të përmirësojë disa nga simptomat e kancerit, por rezultatet...
Kanabisi mund të përmirësojë disa nga simptomat që janë të lidhura me kancerin, siç janë të përzierat dhe të vjellat, çrregullimet e gjumit, dhimbje, ankthi dhe depresioni, sipas rezultateve të një studimi vëzhgues, të publikuar në "European Journal of Internal Medicine".
"Ne besojmë se është i domosdoshëm përshpejtimi i zhvillimit të programit të kërkimit shkencor mbi kanabisin dhe gjetja e provave të reja", thotë Victor Novack (Universiteti Soroka, në Izrael), i cili udhëhoqi studimin në bashkëpunim me akademikët e tjera izraelitë dhe disa punonjës të Tikun-Olam-it, një kompani private izraelite që rrit kanabis për përdorim mjekësor, menaxhon klinika dhe kryen kërkime në lidhje me kanabisin për përdorim klinik.
Kërkuesit kanë shqyrtuar të dhënat e pyetësorëve të plotësuar nga rreth 3.000 pacientë me kancer, të cilëve u ishte përshkruar kanabis për përdorim mjekësor në periudhën 2015-2017. Pyetësorët janë zhvilluar në bazë, një muaj e gjashtë muaj pas nisjes së studimit. Pas një sërë braktisjesh dhe vdekjesh për shkak të kancerit, studimin e përfunduan 1,742 vetë.
Pacientët përdorën kryesisht katër lloje të kanabisit që ndryshonin përsa i përket përqendrimit të kanabinoidëve, në formën e vajit ose nëpërmjet kapsulave, si cigare ose vaporizatorë. Vëmendje e madhe i është kushtuar zgjedhjes së dozës. Në bazë, pacientët raportuan mesatarisht 11.1 simptoma. Ndër këto, më të zakonshmet ishin çrregullimet e gjumit, dhimbja, dobësia dhe lodhja. Simptomat që treguan përmirësimin më të madh ishin: të vjellat (91.0%), çrregullimet e gjumit (87.5%), shqetësimi (87.5%), ankthi dhe depresioni (84.2%), pruriti (82, 1%) dhe dhimbjet e kokës (81.4%).
Rezultatet tregojnë se 60% e pacientëve që plotësuan pyetësorin e fundit gjashtëmujor kanë përfituar nga trajtimi, por studiuesit theksojnë se për shkak të natyrës vëzhguese të studimit, nuk mund të përcaktohet asnjë lidhje mes terapisë me kanabis dhe përmirësimit të simptomave. Shkalla e suksesit të trajtimit për llojet e ndryshme të kancerit, gjithsej 17, ishte gjithashtu e ndryshueshme.
Pacientët me kancer të veshkave dhe limfomën e Hodgkinit patën më shumë sukses nga trajtimi, ndërsa ata me kancer të prostatës dhe melanomë, më pak se të gjithë. Falë kanabisit, shumë pacientë në studim reduktuan gjithashtu përdorimin e ilaçeve të tjera lehtësuese të dhimbjes, përfshi opioidet.
Eur J Intern Med. 2018. doi: 10.1016/j.ejim.2018.01.023
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/29482741