tet312018
Zgjerohet spektri i efikasitetit të cabozantinibit në karcinomën tiroide
Një studim i kohëve të fundit i fazës II, i prezantuar në Arizona gjatë simpoziumit multidisiplinar për kanceret e kokës dhe të qafës, ka vlerësuar efikasitetin e cabozantinib-it (60 mg/ditë per os) te 35 pacientë me tumor të diferencuar të tiroides, në nivel lokal të avancuar ose metastatik, të parezekueshëm, refraktar ndaj jodit radioaktiv (DTC-RR), të patrajtuar më parë me frenuesit e tirozinë kinazës (TKI).
"Cabozantinibi, një TKI aktiv mbi receptorin e VEGF-it, përveçse mbi RET-in, MET-in dhe AXL-in, është aprovuar aktualisht në fushën e endokrinologjisë, për pacientët me karcinomë medulare të tiroides, në stad të avancuar", kujton Alfonso Massimiliano Ferrara (Shoqata e Mjekëve Endokrinologë). Përsa i përket studimit, thotë ai: "pjesëmarrësit (49% meshkuj) kishin një moshë mesatare 65-vjeçare: 63% kishin një tumor papilar, 9% karcinomë të qelizave Hürthle dhe 29%, karcinomë të diferencuar dobët.
Endpointi kryesor ishte shkalla e përgjigjes ndaj trajtimit, ndërsa endpointet sekondare ishin mbijetesa pa përparim (PFS), koha deri te përparimi (TTP), kohëzgjatja e përgjigjes dhe norma e përfitimit klinik (përgjigjet e plota e të pjesshme dhe stabilizimi i sëmundjes për të paktën 6 muaj)".
Në përgjithësi, 30 pacientë kanë paraqitur një përgjigje të vlerësueshme radiologjikisht: 16 (53%) arritën një përgjigje të pjesshme dhe 14 (47%), stabilitetin e sëmundjes. Shkalla e përfitimit klinik ishte 80%. PFS-ja mesatare ende nuk ishte arritur dhe TTP-ja mesatare ishte 35 javë.
Bari ka rezultuar i toleruar mirë. Në 23 pacientë (66%), janë bërë sipas nevojës ndërprerja e trajtimit ose rregullimet e dozës. Të gjithë pacientët kanë shfaqur ngjarje të padëshiruara gjatë trajtimit, ndër të cilat më të zakonshmet ishin hiperglicemia (80%), diarreja (77%), lodhja (74%), rënia në peshë (71%).
"Ky është studimi i parë që dokumenton veprimtarinë antitumor të cabozantinibit, në linjë të parë, në DTC-RR, ndonëse roli i barit në këtë tipologji pacientësh kërkon hetime të mëtejshme", vëren Ferrara. Duke pasur parasysh këtë, të dhënat e reja do të sigurohen nga një studim shumëqendror i fazës III, që po planifikohet.
"Pas sorafenibit dhe lenvatinibit, cabozantinibi e zgjeron spektrin e barnave efektive TKI në DTC-RR", përfundon Ferrara.
Multidisciplinary Head and Neck Cancers Symposium 2018: abstract 8.
https://astro.confex.com/astro/hncs2018/meetingapp.cgi/Paper/20239