dhj52018
Farmacistë, kujdes me kreditet! Më 31 dhjetor, mbyllet cikli i dytë i edukimit në vazhdim
Këtë fund dhjetori, përmbyllet cikli i dytë i edukimit në vazhdim për periudhën 1 janar 2015-31 dhjetor 2018. Farmacistët gjatë kësaj periudhe duhet të kenë marrë pjesë në aktivitete të ndryshme që lidhen me vazhdimësinë e rritjes së tyre profesionale, nga e cila kanë grumbulluar edhe kredite që do t'u mblidhen në fund nga Qendra Kombëtare e Edukimit në Vazhdim.
Një farmacist që e ka ushtruar profesionin për 4 vite me radhë, duhet të ketë grumbulluar 60 kredite gjithsej, që do të thotë, 15 kredite për çdo vit. Një farmacist që e ka ushtruar këtë profesion për 3 vite kalendarike, duhet të ketë grumbulluar deri në fund të dhjetorit, 45 kredite. Ata farmacistë që e kanë ushtruar këtë profesion vetëm për dy apo për një vit, duhet të kenë grumbulluar përkatësisht 30 dhe 15 kredite. Sipas Urdhrit të Farmacistit, atyre farmacistëve të cilët në një vit e kanë ndërprerë së ushtruari profesionin, nuk u nevojiten kredite për atë vit.
Ata të cilët nuk i kanë përmbushur detyrimet, duhet të nxitojnë që të marrin pjesë nëpër aktivitete shkencore që lidhen me këtë fushë, në mënyrë që të plotësojnë numrin e duhur të krediteve, pasi në rast të kundërt, penalizohen.
Por, duhet të bëjnë kujdes, pasi ka kompani që i ofrojnë kreditet kundrejt pagesës, pa marrë pjesë në aktivitet. Disave prej tyre u është hequr licenca një vit më parë dhe kreditet e tyre nuk njihen nga QKEV-ja. Për këtë arsye, farmacistët duhet të interesohen pranë QKEV-së për të mësuar mbi numrin e krediteve që kanë realizuar, pasi disa prej aktiviteteve që mund të kenë përfshirë në dosjet që kanë dorëzuar, mund të mos u jenë njohur.
Alma Demiraj