nën72014
Në janar, farmacistëve pa kredite iu pezullohet licenca
Kanë mbetur vetëm dy muaj nga procesi i ricertifikimit të farmacistëve, mjekëve dhe stomatologëve në bazë të krediteve që ata kanë marrë për zhvillimin e tyre profesional.
850 mjekë, farmacistë dhe stomatologë, në të gjithë vendin e kanë zero kuotën e krediteve, ndërsa 1200 të tjerë janë nën minimumin e kërkuar prej 30 kreditesh në vit. Kryesisht në zonat rurale një pjesë e farmacistëve kanë mbetur me dijet e universitetit dhe nuk kanë punuar për të përvetësuar të rejat e fundit të fushës profesionale.
Një faramcist apo stomatolog duhet të përmbushë 100 kredite në vit, ndërsa një mjek duhet të plotësojë 150 në vit. Kreditet përmbushen duke marrë pjesë në konferenca shkencore si brenda dhe jashtë vendit. Entela Shehu, drejtore e QKEV,thoë se ka një interes të madh të profesionistëve për të paraqitur pranë QKEV dokumentacionin e nevojshëm që vërteton plotësimin e kërkesave të ricertifikimit ."Bazuar në të dhënat e fundit rreth 70% e mjekëve dhe farmacistëve kanë plotësuar më shumë se 50% të numrit të kërkuar të krediteve të edukimit në vazhdim, ndërsa rreth 50% e stomatologëve kanë plotësuar më shumë se gjysmën e numrit total të krediteve",shprehet Shehu duke paraqitur situatën më të fundit përsa i përket këtij procesi. Por, më herët ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, është treguar i ashpër, duke i paralajmëruar se do t'iu hiqet licenca të gjithë atyre që nuk kanë përmbushur kreditet deri në fund të vitit.
"Gjithashtu, edhe ata profesionistë që kanë kredite, por jo sa niveli i mjaftueshëm, brenda 6 muajve të mbarimit të afatit 5-vjeçar, do të duhet të rihyjnë në provimin e shtetit. Nëse pas 6 muajsh, përsëri nuk do të kenë marrë provimin e shtetit, apo nuk do të kenë pranuar të hyjnë në provimin e shtetit, jemi në të njëjtat kushte, vendi i tyre i punës del vakant dhe u pezullohet liçenca" ka pohuar Beqaj. Kurse drejtuesve të institucioneve shëndetësore, ministri i Shëndetësisë u ka kërkuar të planifikojnë fonde të veçanta për trajnimet apo për udhëtimet e mjekëve, që marrin pjesë në konferenca shkencore jashtë vendit. Në bazë të ligjit për profesionet e rregulluara ka rezultuar se rreth 318 mjekë, 148 farmacistë dhe 376 stomatologë nuk kanë marrë asnjë kredit të cilat përfitohen nga pjesëmarrjet në konferenca të ndryshme shkencore, seminare apo trajnime.
148 farmacistë me 0 kredite
318 mjekë me 0 kredite
376 stomatologë me 0 kredite
1953 mjekë me 1-100 kredite
2596 mjekë me mbi 100 kredite
Përgatiti: Alma Demiraj