Shëndetësi

sht232015

Qeveria riformulon skemën e kreditimit të profesionistëve: Cikël 4-vjeçar certifikimi dhe numër më i vogël kreditesh të detyrueshme

Në mbledhjen e datës 22 shtator 2015 qeveria ka miratuar VKM-në për "Përcaktimin e kritereve, standardeve dhe procedurave të programit të certifikimit për profesionistët e shëndetësisë", duke bërë disa ndryshime thelbësore në mënyrën e kreditimit të mjekëve, farmacistëve dhe dentistëve. Por jo vetëm sepse për herë të parë në këtë proces do të përfshihen edhe ndihmës/farmacistët, infermierët dhe mamitë. Për këta programi i certifikimit do të nisë në janar 2016 dhe do të përfundojë në dhjetor 2020.

Ndryshimi më i rëndësishëm ka të bëjë me kohëzgjatjen e programit të certifikimit i cili nga 5-vjeçar kthehet në 4-vjeçar për të gjithë profesionistët e shëndetësisë. Nga ana tjetër, Këshilli i Ministrave ka vendosur për uljen e numrit të krediteve të detyrueshme në përfundim të këtij programi. Kështu mjekët, nga 150 kredite tashmë do të duhet të plotësojnë 120 te tilla deri fund të programit, ndërsa farmacistët e dentistët nga 100 kredite do të kenë detyrimin e 60 krediteve. Edhe për ndihmës/farmacistët numri i detyrueshëm i krediteve do të jetë 60, ndërsa mamitë dhe infermierët duhet të kenë mbledhur 40 të tilla.
Kriteret e kreditimit janë të njëjta si për të punësuarit në sektorin publik dhe për të tjerët në sektorin privat, si për ata që punojnë me kohë të pjesshme dhe për ata që punojnë me kohë të plotë.

Profesionistë që dalin në pension brenda periudhës 4-vjeçare përjashtohen nga detyrimi i krediteve. Por kjo nuk vlen për pensionistët që vendosin të vazhdojnë profesionin në sektorin privat, këta do të duhet të plotësojnë kreditet njësoj si gjithë profesionistët e tjerë. Gjithashtu, profesionistët që gjatë një viti ndërpresin punën për një periudhë më të gjatë se 4-muaj, përjashtohen nga kërkesat e programit për atë vit kalendarik.

Kreditet e përfituara nga ndjekja e drejtpërdrejtë e aktiviteteve si konferenca, seminare, workshop-e duhet të përbëjnë të paktën 50% të numrit të përgjithshëm të krediteve të raportuara nga profesionisti. Ndërsa kreditet nga aktivitetet e edukimit në distancë, siç janë kurset online duhet të përbëjnë jo më shumë se 50% të numrit të përgjithshëm të krediteve. Po ashtu, kreditet e arritura nga aktivitetet e vetëraportuara do të konsiderohen të vlefshme deri në 20% të numrit të përgjithshëm të krediteve.

Mjekët duhet që brenda një viti të kenë plotësuar minimalisht 10 kredite, ndërsa pjesa tjetër e krediteve përcaktohet nga zgjedhja e lirë e mjekut. Për farmacistët, ndihmësfarmacistët dhe stomatologët numri vjetor minimal i detyrueshëm është 5 kredite. Në fund të ciklit 4-vjeçar të certifikimit, përveç numrit të krediteve të kërkuara, profesionistët duhet të marrin 10 kredite përmes një testi vetëvlerësimi. Ky test kryhet on-line dhe lidhet me specialitetin e profesionistit.
Kur profesionisti merr pjesë në aktivitete të akredituara nga institucione të tjera përveç QKEV-së, njohja e krediteve bëhet pas kërkesës së vetë atij për regjistrimin e këtyre krediteve në QKEV. Edhe në rastet e botimeve në revista shkencore, tekste mësimore, abstrakte, ndjekje e praktikave profesionale etj., regjistrimi i krediteve bëhet në mënyrë individuale nga vetë profesionisti. Vendimi për vendosjen e kritereve, standardeve dhe procedurave të programit të certifikimit hyn në fuqi menjëherë pas publikimit në "Fletoren zyrtare".

Për më shumë informacion mbi procedurat kreditimit të profesionistëve lexoni VKM-në e plotë, klikoni këtu.

Përgatiti: Dorina Gjuzi
 


Download Center

separa
Principi e Pratica Clinica
Lista e barnave të rimbursueshme 2015
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
VENDIME TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
shkoni në download >>
separa

OTC