mar82019
ASA në parandalimin primar. Studimi bën krahasimin mes përfitimeve dhe rreziqeve
Një metaanalizë e re e publikuar në "JAMA", e cila ka mbledhur të dhënat e pranishme në literaturë mbi aspirinën e përdorur në parandalimin parësor për sëmundjet kardiovaskulare dhe të kancerit, nuk ka gjetur një përfitim të përgjithshëm që rrjedh nga ky lloj përdorimi i medikamentit.
Në realitet, aspirina e përdorur në parandalimin parësor, është shoqëruar me një rrezik më të vogël për ngjarje kardiovaskulare, por gjithashtu me rrezik në rritje për hemorragji madhore dhe nuk është zbuluar asnjë efekt mbi rrezikun për kancer. "Kohët e fundit, janë publikuar tre studime të cilat kanë patur një jehonë të madhe. Ato sugjeronin se nga përdorimi i aspirinës në parandalimin primar kishte më shumë dëme sesa përfitime. Për këtë arsye, ne kemi menduar të vlerësojmë lidhjen që ka aspirina në parandalimin parësor, me ngjarjet kardiovaskulare dhe gjakderdhjen", shpjegon Sean Zheng (Kolegji Perandorak i Londrës), autori kryesor i studimit.
Studiuesit shqyrtuan 13 studime në të cilat rreth 165,000 të rritur pa sëmundje kardiovaskulare u përzgjodhën në mënyrë rastësore për të marrë përditë aspirinë. Në përgjithësi, gjatë një ndjekjeje mesatare prej 5 vjetësh, medikamenti ka rezultuar i lidhur me një rrezik më të ulët për ngjarje të mëdha kardiovaskulare dhe rrezik më të lartë për hemorragji madhore, aq shumë sa studiuesit vlerësuan se do të ishte e nevojshme të trajtoheshin 265 pacientë për të parandaluar një ngjarje kardiovaskulare dhe 210, për një ngjarje hemorragjike.
Megjithatë, në një editorial shoqërues, Michael Gaziano (Brigham and Women's Hospital në Boston), thotë se çështja nuk është ende shumë e qartë, duke theksuar se përfitimi i aspirinës mbi parandalimin e kancerit do të ishte i dukshëm vetëm pas një ndjekjeje shumë më të gjatë dhe se bari mund të luajë një rol te disa pacientë përsa i përket parandalimit primar kardiovaskular.
JAMA 2019. doi: 10.1001/jama.2018.20578
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/30667501
JAMA 2019. doi: 10.1001/jama.2018.20577
https://jamanetwork.com/journals/jama/article-abstract/2721162