pri152019
Kompania Pfizer nis tërheqjen vullnetare të Ponstanit nga tregu
Agjencia Kombëtare e Barnave dhe e Pajisjeve Mjekësore ka bërë me dije se, pas njoftimit të marrë nga MAH dhe distributori farmaceutik, të cilët importojnë barin "Ponstan shurup 50mg/ml", ka nisur tërheqja e tij nga tregu si pasojë e tejkalimit të niveleve të ekspozimit ditor të lejuar për plumb dhe lithium.
Nga sektori i Farmakovigjilencës në AKBPM, na konfirmojnë si më poshtë: "Jemi njoftuar zyrtarisht nga kompania që është importues i autorizuar i barit Ponstan 50 mg/ml oral suspension me MAH PFIZER, se falë një vendimi global të kompanisë, Pfizer do të bëjë tërheqje vullnetare nga tregu të barit Ponstan 50 mg/ml glass bottle 1 x 125 ml (acid mefenamik) që qarkullon aktualisht në tregun farmaceutik shqiptar".
"Aktualisht, ka nisur kthimi i sasisë stock nga të gjithë distributorët farmaceutikë dhe farmacitë e rrjetit të hapur në ambientet e distributorit të autorizuar, deri në datën 30 prill 2019.
Farmacistët që hasin përshkrimin e këtij bari përgjatë këtyre ditëve, lutemi të mos e ofrojnë ndaj pacientëve, duke u kërkuar këtyre të fundit rikonsultim me mjekun për alternativa të tjera", thuhet në njoftimin e agjencisë.